2010-07-22 16:03:26

Obama nënshkruan ligjin financiar. Kush e paguan borxhin publik?


Presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi ligjin e shumëpritur financiar, i cili vendos më tepër kontrolle mbi financën dhe mbron kursimet e punonjësve. Janë rregulla që kanë ekzistuar edhe më parë, por që askush nuk i ka respektuar. E reja përfaqësohet nga sanksionet e parashikuara për ata që nuk i respektojnë tani e tutje. Është një lloj pranimi i heshtur i përgjegjësisë së politikës për krizën ekonomike, e cila filloi në SHBA-të, për t’u përhapur me shpejtësi në të gjithë globin. Është si të thuash se deri dje janë lejuar tepër prodhime financiare të pakontrolluara, me miratimin e politikës, së cilës i duheshin fondet derivate për të mbështetur rritjen e Prodhimit të Brendshëm Brut.
Në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, presidenti i Institutit të Veprave Fetare (IOR), Etore Goti Tedeski komenton: “Ndoshta reforma e presidentit të SHBA-ve nuk është e plotë, por është pa dyshim korrekte e mund të merret si shembull edhe nga Evropa”. Por cili është ndryshimi ndërmjet reformës së Obamës dhe reformave ekonomike, që po miratojnë shumë shtete evropiane për të përballuar krizën? Në SHBA-të – shkruan Tedeski – qeveria po nacionalizon borxhin privat, duke i lehtësuar familjet nga borxhet e imponuara në të kaluarën, kur të gjithë amerikanët shtyheshin nga shteti të blinin me kredi. Në të kundërtën, në Evropë, po privatizohet borxhi shtetëror përmes përdorimit të kursimeve të familjeve virtuoze. Madje, pa u kërkuar atyre falje!
Për të kuptuar ndryshimin, duhet dalluar kriza amerikane nga ajo evropiane. Në Amerikë, familjet u inkurajuan të marrin kredi për të shtuar konsumin, në mënyrë që të rritej Prodhimi i Brendshëm Brut. Në Evropë, janë shtetet ata që kanë hyrë në borxh me bankat për të paguar koston shoqërore, e cila vjen nga mungesa e rritjes demografike të popullsisë, pra, nga mungesa e fëmijëve. Familjet evropiane, në ndryshim nga ato amerikane, kursyen, por tani detyrohen të paguajnë me këto kursime borxhin e sistemit ekonomik. Kur na kërkojnë të blejmë ndonjë gjë me zero% interesa – shpjegon presidenti i bankës vatikanase – në të vërtetë, kjo do të thotë të paguajmë një taksë të fshehur, e cila transferon pasuri nga ata që kanë kursyer në mënyrë virtuoze tek ata që kanë hyrë në borxh, pra, në rastin evropian, tek shteti.
“Por – denoncon Etore Goti Tedeski – penalizimi i kursimeve private – që mund të quhen nafta evropiane, sepse janë pasuria e vërtetë e kontinentit – përfaqëson një rrezik shumë më të lartë se fundi i burimeve energjitike, të cilat mund të zëvendësohen me ato alternative. Vetëm se nuk ka alternativë për fundin e kursimeve!”







All the contents on this site are copyrighted ©.