2010-07-22 15:57:02

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thotë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar


Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është akt kundër së drejtës ndërkombëtare. Kështu pohon Gjykata e OKB-së në prononcimin e parimit të saj këshillëdhënës shpallur sot nga Haga. Me 10 vota pro dhe 4 kundër Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është shprehur në favor të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hiasashio Ovada, tha se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, shpallja e pavarësisë është proces politik dhe jo ligjor. Në këtë aspekt, ai ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimeve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB së në Kosovë, vendosjen e KFOR it e të tjera. Vendimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk është detyrues. Por analistët thonë se një vendim që mbështet Kosovën mesa duket do të bëjë që më shumë vende të tjera ta njohin pavarësinë e saj.

Gjykata qe thirrur nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së për të vendosur nëse shpallja e pavarësisë shpallur më datën 17 shkurt 2008 është “në harmoni” me të drejtën ndërkombëtare. Prononcimi i Hagës është i destinuar të ketë ndërlikime si në planin e marrëdhënieve ndërmjet lëvizjeve separatiste të përhapura në botë e ndër qeveritë të Vendeve përkatëse si dhe mbi negociatat e hyrjes në BE të Beogradit e Prishtinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.