2010-07-21 17:05:17

Një fjalë shprese ndërmjet vështirësive të kohës sonë: reflektime të Papës mbi Ungjillin.


(21.07.2010 RV)Liturgjia e sotme, me shembëlltyrën e mbjellësit, na përsërit ftesën për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për ta vënë atë në jetë. Është edhe nxitje për ta ruajtur e për ta përhapur shpresën, në një botë të përmbytur nga fjalët e së keqes. Benedikti XVI, gjatë papnisë së tij, e ka shpjeguar në shumë raste këtë faqe ungjillore.
Begatisht e falas – nënvizon Papa – Zoti e hedh farën e fjalës së vet, duke e ditur mirëfilli se mund të bjerë në truall të papërshtatshëm, ku nuk mund të mbijë, as të rritet, për shkak të thatësirës, ose të gjembave, që ia thithin gjithë forcën jetike:
“Gjithsesi, mbjellësi nuk e humbet guximin, sepse e di që një pjesë e kësaj fare, do të bjerë në tokë të mirë, domethënë, në zemra të zjarrta, të afta për ta mikpritur Fjalën e Zotit me gatishmëri, që të mbijë, të rritet e të japë bujarisht fryte, për të mirën e shumëkujt(Fjalim mbi punën baritore për thirrjet meshtarake, 4 korrik 2009).
Fara është e vogël, gati e padukshme. E kështu edhe Fjala e Zotit:
Por në të është e pranishme ardhmëria, sepse fara ka në gjirin e vet bukën e së nesërmes, jetën e së nesërmes. Fara duket krejt e parëndësishme, por ajo është prania e së ardhmes, është premtim i pranishëm që sot. Kështu, me këtë shembëlltyrë, Zoti na thotë: jemi në kohën e mbjelljeve; Fjala e Zotit duket thjesht fjalë, gati-gati asgjë. Por kini guxim, kjo fjalë mbart në vetvete jetën. E sjell shumë fryt!” (Takim me klerin në Aosta, 25 korrik 2005).
Shembëlltyra, pohon Papa, na lë të kuptojmë se duhet të jemi guximtarë, ndonëse në dukje Fjala e Zotit nuk bie shumë në sy, ndërmjet zhurmave të botës. Fara, si kokrra e grurit, sjell fryt duke vdekur. Jezusi vetë është fara, që vdes. Kur Ai kryqëzohet, duket se gjithçka merr fund, por pikërisht përmes këtij dështimi, në dukje, fara i shndërron mjerimet e botës, duke lindur jetën e vërtetë:
Pa vuajtje, nuk mund të shndërrohet asgjë... Duhet t’i kemi në zemër tonë vështirësitë e kohës sonë e t’i shndërrojmë, duke vuajtur bashkë me Krishtin e duke shndërruar, kështu, edhe vetveten. E në atë masë që të shndërrohemi, do të mund ta shikojmë Mbretërinë e Hyjit e t’i bëjmë edhe të tjerët ta shohin” (Takim me klerin në Aosta, 25 korrik 2005).
Papa na bën thirrje të jemi dëshmitarë të Fjalës së Zotit, në një botë, që e ka humbur shpresën. Një botë, të cilën nganjëherë e kemi më të lehtë ta dënojmë, sesa ta shpëtojmë: “Miq të dashur, të jeni mbjellësit e besimit e të shpresës... kjo mund të jetë ora e Hyjit… Fjala e Zotit mund të bëhet vërtet dritë e forcë, burim shprese, mund të hapë udhën, që kalon përmes Jezusit: ‘udha’ e ‘porta’; përmes Kryqit të tij, që është dashuri e përkryer” (Fjalim mbi punën baritore për thirrjet meshtarake, 4 korrik 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.