Gjykata e Hagës urdhëron proces të ri për Haradinaj
Dhoma e Apelit vendosi paraburgimin e Haradinajt, Brahimajt e Balajt pasi kishin munguar
dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës sot ka anuluar
pjesërisht vendimin e Gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe
Lahi Brahimajt. Dhoma e Apelit me shumicë votash ka urdhëruar rigjykim të pjesshëm
lidhur me rastin. Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme
për të shfrytëzuar të gjitha rrugët në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyçë
të rastit. Apeli ka arritur në përfundimin se Gjykata ka dështuar në marrjen e
masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve. Dhoma e Apelit
ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera. Gjykata ka vendosur
paraburgimin e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt deri në një vendim
të ardhshëm. Ndërkohë, koordinatori i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj,
Majkëll O'Relli, përmes një komunikate për media, ka thënë se ekipi është i befasuar
me vendimin e sotëm të Dhomës së Apelit. "Ekipi Mbrojtës i z. Haradinaj është
jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçka që ne s'kemi mundur
ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim
të para dy viteve", është shprehur O"Relli. "Për ne tanimë çështjet më me rëndësi
janë, së pari, që të sigurojmë kthimin e shpejtë të z. Haradinaj në Kosovë dhe, së
dyti, të caktohet sa më shpejt data e rigjykimit të pjesshëm", ka thënë O'Relli, duke
sqaruar se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi mbrojtës
ta ketë studiuar të gjithë materialin. Ndryshe, Majkëll O'Relli, ka cituar një deklaratë
të Haradinajt para shkuarjes në Hagë, i cili kishte theksuar se zhvillimet e fundit
rreth rastit të tij duhet të shihen në një kontekst më të gjerë. "Kosova ka bërë
progres të madh, dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë në institucionet ndërkombëtare
përkundër prapakthimeve të përkohshme", është cituar të ketë thënë Haradinaj. Ai po
ashtu, citohet të ketë thënë se çështja më me rëndësi sot është opinioni i Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës. "Duhet të garantohet ecja e Kosovës
tutje në procesin e integrimit në bashkësinë e kombeve", citohet të ketë thënë Haradinaj..
O'Relli thotë se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi
mbrojtës ta ketë studiuar të gjithë materialin.
Ndërkohë Partia e Haradinajt
AAK sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp,pohon se është tejmase
e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, për rigjykimin e Haradinajt. Lajmi
për rihapjen e pjesshme të gjykimit të Ramush Haradinajt, kryetar i AAK së, është
një lajm shumë i keq për AAK-në, për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës, thuhet
në një deklaratë të kësaj partie. Më tej theksohet se "AAK është tejmase e befasuar
me vendimin e Tribunalit të Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të Shkallës
së Parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm
prej të gjitha akuzave". Në deklatarën e AAK-së konstatohet se "si në marsin e vitit
2005, kur u shpall Aktakuza e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, ashtu edhe tani,
në korrikun e vitit 2010, kur u mor vendimi për rihapjen e pjesëshme të Gjykimit të
Haradinajt, Kosova përballet me sprova të mëdha politike dhe të sigurisë". Gjithashtu
AAK është e bindur "që proceset politike në Kosovë, veçmas ato që do të pasojnë në
vijim të shpalljes që qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
në Hagë, këtë të enjte, me 22 korrik, do të dëmtohen thelbësisht". Por AAK shprehet
e sigurt se edhe në rigjykimin e pjesshëm që do të pasojë, shpreson "sa më parë që
është e mundur që Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK së, do të shpallet plotësisht i
pafajshëm". Me këtë rast AAK u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që "të tregohen të
matur dhe të pjekur si edhe herave të tjera, kur Kryetari i AAK së, me shembullin
e vet personal, ka treguar se si duhet të sillemi kur përballemi me sprovat e tilla".