2010-07-21 17:05:28

Benedikti XVI u tregon fëmijëve veprat e apostujve, në një libër shkruar për ta.


(21.07.2010 RV)Në librin e shkruar për miqtë e Jezusit1, përmblidhen fragmente shkëputur nga katekizmi i Benediktit XVI gjatë audiencave të përgjithshme të së mërkurës, kushtuar apostujve e, posaçërisht, Shën Palit. Në këtë libër, përgatitur posaçërisht për fëmijtë e të rinjtë, pasuruar me ilustrime nga Franko Vinjacia, ngjarjet zhvillohen në rrugët e Galilesë. Po ju njohim me hyrjen, titulluar “Takim që ta shndërron jetën: “Ejani e shikoni”, nënshkruar nga kryetari i Vëllazërisë Bashkim e Çlirim.
“Ishte një grup i vogël burrash, i cili një ditë, dymijë vjet më parë, takoi një djalosh që ecte nëpër udhët e Galilesë, në Lindjen e Mesme. Secili kishte punën e vet e familjen e vet, por në një çast të vetëm, jeta e tyre ndryshoi krejtësisht. Quheshin Andre e Gjon, Pjetër e Mate, Tomë e … Ishin dymbëdhjetë e ne sot i njohim me një emër përmbledhës “Apostuj”. Njëri prej tyre, pastaj, e tradhtoi Jezusin e, në vend të tij, u zgjodh Matia.
Në atë kohë, në Jeruzalem, të gjithë e dinin se ishin miqtë e Jezusit. I shikonin duke shkuar nga fshati në fshat, duke ndjekur gjurmët e Mësuesit të tyre e duke bërë gjithçka bënte Ai. Atyre, më vonë, do t’u shtohej edhe Pali. Ai nuk u takua me Jezusin si të tjerët. Ishte një takim tejet i çuditshëm, tronditës: ndërsa shtegtonte drejt qytetit të Damaskut, dëgjoi zërin e Jezusit, që e pyeti: “Pse po më salvon?”. I tronditur thellë nga ky zë, kalorësi ra nga kali, i verbuar. Që nga ky çast, jeta e tij ndryshoi rrjedhën e saj. Persekutuesi i tmerrshëm i të krishterëve, u bë dëshmitari më i lumnueshëm i Jezusit. Shtegtoi shumë, për t’u treguar të gjithëve si ndërroi rrugë e pse nisi një shtegtim të ri. Duhet ta dinin të gjithë. Për të mos pritur të rrëzoheshin, të verbuar, nga kali, e për ta njohur sa më shpejt Jezusin.
Benedikti XVI është pasardhësi i njërit nga apostujt, i kryetarit të tyre, Pjetrit, të cilit Jezusi i caktoi detyrën t’i printe Kishës si papa i parë. Ky libër i ilustruar përmbledh, pra, disa fragmente të shkëputura nga takimet me shtegtarët, që quhen ‘audienca të përgjithshme’ e mbahen të mërkurave, në Vatikan. U zgjodhën fragmente nga audiencat kushtuar pikërisht dymbëdhjetë apostujve dhe Shën Palit.
Papa na merr për dore e na shoqëron në rrugë të largëta, të panjohura, për të zbuluar kush ishin shokët e parë të Jezusit, si u takuan e si u pushtuan nga Ai deri në atë masë, sa të mos ndaheshin më kurrë prej Tij.
Benedikti XVI na kthen dymijë vjet mbrapa e na bën dëshmitarë të ngjarjeve, që jetoi Jezusi me këta njerëz; të fjalëve, që u tha; të premtimeve; të udhës, që u hapi, për të shkuar në të katër anët e botës. Duke shfletuar librin e ri, Papa na çon në breg të Jordanit, pranë Shën Gjonit, që pagëzon Jezusin, kur Andreu e Gjoni, i njohur më pas me epitetin ‘ungjilltar’ e pyesin ku e ka shtëpinë e marrin përgjigjen: “Ejani e shikoni”. Na shoqëron, më pas, në një mëngjes pranvere, në brigjet e liqenit të Tiberiades, ku Jezusi i drejton Pjetrit pyetjen: “A më do?”, e na bën të dëgjojmë përgjigjen e tij, të përsëritur disa herë: “Zot, ti di gjithçka, ti e di se të dua”.
Thotë Benedikti XVI, duke folur për Gjonin, dishepullin më të ri e më të dashur, atë që në darkën e Mbrame mbështet kryet mbi parzëm të Jezusit: “Zot, na ndihmo të mësojmë në shkollën e Gjonit, që ta ndjejmë se Krishti na do deri në fund të fundit, e ta shkrijmë gjithë jetën për të”.

1 Botuar në San Giuliano Milanese, Piccola casa editrice, 2010, 48 faqe, me çmim 12 euro.







All the contents on this site are copyrighted ©.