Benedikti XVI, i shtati papë në histori për nga mosha, pas vitit 1400
(21.07.2010 RV)Më 19 korrik, Benedikti XVI është bërë i shtati papë në histori
për nga mosha, pas vitit 1400. Ideatori i kësaj liste të veçantë, e cila prej dy ditësh
po qarkullon në internet, është ekspert i sistemeve IBM të informatikës e këshilltar
i shumëkombësheve në sektorin teknologjik. Quhet Anura Gurugé dhe ka një pasion të
deklaruar për historinë e papëve e të katedraleve. Në vendin e parë të listës është
Papa Leoni XIII, që u nda nga kjo jetë më 20 korrik 1903, në moshën 93-vjeçare. Në
të vërtetë, siç pohon edhe vetë autori, kjo statistikë është relative, pasi në të
janë marrë parasysh vetëm papët që nga viti 1400 e deri në ditët tona. Të dhënat e
mëparshme janë pak të besueshme. Një kolonë kurioze e tabelës së Gurugé është ajo
e përqindjes së jetës, që një person e ka kaluar në shërbimin papnor. Me 31 vjetët
e tij, nga 1846-a në 1878, vendin e parë e zë Papa Piu IX, i cili ka qenë papë për
një të tretën e jetës. Kjo statistikë është thjesht kuriozitet, por nëse duam të shkojmë
më tej, të ndalemi për të medituar mbi fjalët e Benediktit XVI në nëntorin e vitit
2008: “Pleqëri vërtet e nderuar nuk është vetëm mosha e madhe, por urtia dhe
pastërtia e jetës, pa ligësi… Bota e quan me fat atë që jeton gjatë, por Zoti, më
shumë se moshën, sheh zemrën. Bota u beson “dijetarëve” dhe “të mençurve”, ndërsa
Zoti preferon ‘të vegjlit’”.