2010-07-21 17:07:03

Afganistan: nga viti 2014 kontrolli i sigurisë i kalon Kabulit


(21.07.2010 RV)Konferenca ndërkombëtare e vendeve donatore për Afganistanin, e cila u zhvillua dje në Kabul, me pjesëmarrjen e 70 shteteve, do të mbështesë planet ekonomike e ato për paqen të presidentit afgan, Hamid Karzai. Brenda vitit 2014, qeveria mendon se mund të marrë në dorë kontrollin e sigurisë së vendit. Këto ishin rezultatet kryesore të mbledhjes, e cila nuk i shpëtoi sulmit të grupeve të armatosura. Një seri bombash goditi aeroportin, ndërsa në jug, dy ushtarë të forcave ndërkombëtare mbetën të vrarë nga minat. Për të rejat e Konferencës, të dëgjojmë të dërguarin e gazetës italiane “Sole 24 ore” në Kabul, Alberto Negri:
Të reja absolute nuk ka. Data më e rëndësishme që jepet është ajo e vitit 2014, por nëse lexojmë me vëmendje dokumentin, thuhet se “brenda vitit 2014, forcat afgane duhet të jenë në gjendje të kryejnë operacione në të gjitha provincat”. Kjo nuk do të thotë ekzaktësisht “të marrin në dorë kontrollin” e të gjithë vendit.
Është objektiv i paarritshëm, sipas jush?
Më shumë se i paarritshëm, është objektiv i pasigurtë, në kuptimin që duhet të vijë ajo ditë për të parë nëse është i mundur. Ky është problemi kryesor. Pastaj, trajtohen të gjitha temat e tjera, që i dinim edhe para konferencës, pa hyrë në detaje. Për shembull, flitet për një plan reintegrimi për talebanët, por nuk caktohet ndonjë shifër apo ndonjë fond i veçantë, siç u bë në Londër, dimrin e kaluar. Flitet madje për zgjedhjet, por as që përmendet e konfirmohet data e 18 shtatorit, në të cilën duhet të zhvillohen ato. Atëherë lind pyetja: ç’duhet kjo lloj konference? E ndoshta, përgjigjia është shumë e thjeshtë: për ta mbajtur bashkësinë ndërkombëtare pranë situatës afgane, në një çast vështirësie për qeverinë e vendit, por sidomos për SHBA-të. Amerikanët kanë nevojë që aleatët të ripohojnë impenjimin e tyre në Afganistan, përndryshe për ta do të ishte dështim i plotë.
Përsa i përket rindërtimit, parashikohet kalimi i rreth 50% të fondeve në duart e qeverisë së Karzait…
Kjo është një pikë për të cilën afganët ngulin këmbë, natyrisht, sepse nëse i administrojnë drejtpërdrejt fondet, qeveria mund të paraqitet si më e qëndrueshme para popullsisë civile.
Fjala “paqe”, ç’hapësirë ka në programin për të ardhmen e këtij vendi në luftë të vazhdueshme?
Fjala “paqe” nuk përmendet as në titullin e Konferencës, ndoshta sepse do të zgjonte optimizëm pa vend, në një situatë kur në kryeqytetin e superblinduar janë hedhur bomba. Fjala “tranzicion” është fjala kyç në këtë Konferencë. Sipas meje, do të duhet shumë më tepër kohë që Afganistani të mbahet me forcat e veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.