2010-07-20 15:49:45

Në takimin me institucionet evropiane, Selia e Shenjtë kërkoi luftë kundër pabarazisë e papunësisë


(20.07.2010 RV)U zhvillua dje në Bruksel takimi vjetor ndërmjet institucioneve evropiane dhe krerëve fetarë të Evropës mbi temën e varfërisë e të përjashtimit shoqëror. Është pikërisht kjo, tema e Vitit Evropian 2010. Në mbledhjen e kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Zhozè Manuel Barroso, morën pjesë rreth 20 krerë fetarë, të krishterë, hebrenj, myslimanë dhe eksponentë të bashkësive sikh e hinduiste nga 14 shtete evropiane.
Një botë “në të cilën jetojnë krah përkrah të pasurit e të mjerët, njerëzit që nuk kanë asgjë, që u mungon edhe thelbësorja dhe ata që hedhin pa merak atë për të cilën të tjerë ndjejnë një nevojë të dëshpëruar” nuk është e drejtë e kjo “pabarazi tepër e madhe, fatkeqësisht, rritet”: kjo qe fotografia që i bëri Evropës së sotme, nënsekretarja e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, Flaminia Xhovaneli. Të dhënat zyrtare nuk lënë shumë hapësirë për interpretim: në Bashkimin Evropian, 85 milion vetë (17%) jetojnë nën pragun e varfërisë, në kuadrin e një krize ekonomike e financiare, e cila po tregon se është krizë strukture, vlerash e besimi. Kjo duket qartë nga rënia e lindjeve e shtimi i numrit të të papunëve.
Mungesa e punës – theksoi Flaminia Xhovaneli – është arsyeja kryesore e përjashtimit shoqëror dhe ka marrë përmasa të pabesueshme. Është i patolerueshëm jo vetëm numri i të papunëve, por edhe ai i punëtorëve të varfër, të cilët nuk arrijnë t’i sigurojnë një jetë dinjitoze familjes, pavarësisht se punojnë. Përbëjnë 8% të punëtorëve të Bashkimin Evropian e kapin shifrën 15 milion vetë. Është rritur edhe hendeku ndërmjet të pasurve e pjesës tjetër të popullsisë. 20% e banorëve të Evropës kanë të ardhura pesë herë më të mëdha se 80%-shi që mbetet.
Presidenti i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kardinali Peter Erdë theksoi se duhet luftuar varfëria e jo të varfërit. Lufta kundër varfërisë – u bëri jehonë fjalëve të tij përfaqësuesi tjetër katolik në mbledhjen me institucionet evropiane, imzot Adrianus van Luyn, kryetar i Komisionit të episkopateve të Bashkimit Evropian – nuk do t’i arrijë objektivat e veta, nëse përdor vetëm mjete teknike ose administrative. Është e nevojshme që të dilet nga asistencializmi dhe të kthehen të varfërit në subjekt të luftës së përbashkët të shoqërisë kundër përjashtimit shoqëror.
Për këtë, prelati shpjegoi kuptimin që i jep Kisha Katolike solidaritetit, sipas të cilit, të varfërit e të pasurit kanë të njëjtin dinjitet. “Solidariteti nuk përjashton askënd – nënvizoi imzot van Luyn, duke i ftuar politikanët të shohin edhe përtej kufirit evropian, sidomos drejt Afrikës, kontinentit të kolonizuar e të plaçkitur nga Evropa me shekuj, sot, kërcënuar rëndë nga qeveri të korruptuara, nga lufta, nga thatësira e nga virusi i Sidës.
Për emigrantët që vijnë në Evropë nga këto zona dhe nga territore të tjera në vështirësi, prelati kërkoi që të mos mbyllen krejtësisht kufijtë e kontinentit të pasur, por as të mos hapen krejtësisht. Rruga e drejtë do të ishte solidariteti në vendin e origjinës, për të ndryshuar kushtet e jetesës. Autonomia e inidividit sot ngrihet në qiell, sqaroi ipeshkvi, por në të vërtetë ajo kufizohet nga varësia e njerëzve nga njëri-tjetri.







All the contents on this site are copyrighted ©.