2010-07-20 17:57:14

Në Pakistan vazhdon dhuna kundër të krishterëve.


(20.07.2010 RV)Pas vrasjes së dy vëllezërve të krishterë, katolikë, Rahid e Saxhid Emanuel, dje, në Faisalabad, Pakistan, vazhdon dhuna. Natën e kaluar, sipas agjencisë Fides, dy mijë militantë islamikë sulmuan lagjen e krishterë të Waris Pura dhe plagosën disa persona me armë zjarri duke shkatërruar rrugët e duke plaçkitur dyqanet. “Në Waris Pura policia është kudo. Pas sulmit të natës së kaluar, gjendja është shumë e nderë dhe familjet e krishtera janë mbyllur nëpër shtëpi nga frika. Bashkë me tre meshtarë të tjerë e kaluam natën pagjumë duke u sjellur nëpër lagje, duke iu kërkuar të krishterëve të mos i përgjigjen dhunës me dhunë.” Kështu i deklaroi Agjencisë Fides, Atë Paskal Paulus, domenikan, famullitar i Kishës së Rruzares së Shenjtë në Waris Pura, teatër i dhunës së djeshme.
Sipas ipeshkvit të Faisalabadit, imzot Xhozef Kuts, në Pakistan ka forca të errëta që përpiqen të ushqejnë dhunën, urrejtjen dhe konfliktin ndërmjet dy bashkësive. “Zanafilla e këtyre sulmeve kundër të krishterëve është ligji i blasfemisë. Kisha e Pakistanit është e para që po kërkon heqjen e këtij ligji.” pohoi për mjetet e informimit imzot Kuts.







All the contents on this site are copyrighted ©.