2010-07-20 14:21:58

Më 20 korrik 1621 imzot Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i Sapës e Sardës


Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit 1621 prifti shqiptar dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës.
Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin 1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin Ilirik të Loretos dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar e menjëherë u dërgua të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar të kryedioqezës së Tivarit në Mal të Zi, ku ndjeji për 12 vjet.
Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e kreu për 17 vjet.
Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, imzot Budi veproi pa dyshim në një situatë politike teje të vështirë e me tensione të mëdha, aq më tepër kur konsiderojmë angazhimin e tij politik për kauzën shqiptare, sepse imzot Budi synonte çlirimin e popullit të vet nga pushtimi e trysnia turke. Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë.
Në vitin 1615 dom Pjetër Budi shkon në Romë ku ndenji deri më 1618 për të botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit 1618 e deri në shtator të vitit 1619, imzot Budi shkoi në shtegtim në shenjtëroren e Shën Jakut, Santiago të Kompostelës në Spanjë. Pasi u kthye në Romë, në vjeshtë të vitit 1619, u angazhua të informonte Kurien Romake, pra Vatikanin, mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve në Shqipëri e në vise tjera të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke.
Më 20 korrik të vitit 1621, Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i Sapës e Sardës e një vit më vonë nisi misionin e tij ipeshkvnor në Shqipëri, ku punoi në fushën e ungjillëzimit e njëkohësisht zhvilloi edhe aktivitete të natyrës atdhetare e politike për të mirën e popullit e përparimin e vendit. Në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar lumin Drin, imzot Pjetër Budi humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetët një enigmë.
Po kujtojmë sot edhe veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit qe “Doktrina e Kërshtenë”, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë me interes 53 faqet e poemave me përmbajtje fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në dialektin Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë e tyre janë origjinale.
Disa botime tjera të Imzot Pjetër Budit qenë: Rituali Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të Sakramenteve të ndryshme, të lutjeve e komenteve të pjesëve biblike të meshës në gjuhën shqipe.
Pastaj kemi edhe një përmbledhje prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum Confessionis” e Emerio de Bonis.
Ipeshkvi katolik shqiptar Imzot Pjetër Budi është figurë madhore, poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.


Imzot Pjetër Budi ( 1566 - 1623 ) 
 LAUDANS INVOCABO DOMINUM
I madhi Zot qofsh lëvduom: për gjithë kaqë të mirë,
Q’i s’e kam u merituom; me ndonjë shërbëtyrë
Këtë kafshë me mbaruom; që paçë si detyrë.
Natë e ditë tue shkruom; zemëra më gjet të lirë,
Shokëvet me ua dërguom; sikur një pasëqyrë,
Ndë të cit tu’ shukuom: të nkthenjënë ma mirë,
Fenë me lulëzuom: kishënë me shërbëtyrë,
Popullinë me ndihmuom; për gjithë ditë të mirë,
Qi të jenë shëlbuom: n teje me gjet të lirë
O Zoti im i ngushëlluom: mbë qjellt aq i mirë,
Qi s’mundenë me u thanë: as ndë mend me u kujtuom,
Atje lavdetë qi janë: nd’atë paq të ngushëlluom
Mijë vjet me qenë nxanë: natë e ditë tue shkruom,
E shekulli anë e pranë: me folë e me ligjëruom
Njëqind pjesësh një me thanë: e fort (t)ue u munduom
S’keshe me u gjetm i tanë: të njëqindënë me shkruom
Jashtë Diellit me hanë: e yjtë panumuruom
Me të cit anë e pranë: qielltë janë rrethuom,
Jashtë engjishit qi janë: gjithaqë të ngushulluom
Ushëtri aqë e tanë: gjithë qielltë mbuluom
Jashtë shintënish n cë tanë: qi s’kanë të numuruom,
Gjithë shekulli me thanë: e me folë e me ligjëruom,
Me të cit anë e pranë: shekulli ashtë rrethuom,
E qielltë gjatë e gjanë: e trajtuom e lulëzuom,
Po pa vini roe mbi: Kush mund me e kallëzuom
T’atinë zotëni: aq tepërë nalcuom?
Ku të gjindej njeri: gjithaq i parequom,
Ka del djelli e rri: kurrë me mos pushuom
Atë lavd përpara ti: të mundën me kallëzuom.
Ndo vendnë atje ke rri: aqë bukurë trajtuom
Ke dëshëronjënë engji: e shintënë të lëvduom
T’atinë perëndi: me sy me e shukuom,
Jo se afërë ungji: ndë dritet me ju afruom,
Ndonjë fjalë për mëngji; me ta me e ligjëruom,
Jashtë virgjënet Mëri: qi ashtë shpëresa jonë,
E lumnja ama e ti: bashkë ende me të shën Gjonë
Qi me gjetunë mëngji: të mjerëtë ndë e vonë
Ndër t’atiat regjëni: të jetë jeta jonë,
E parrisi i ti: kurti e bashtina jonë,
Për gjithë jetë e jetësë. Amen


1618 - 1621
I madhi zot,qofsh lëvduom
I madhi Zot,qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u' merituom
me ndoonjë shërbetyrë;


qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.


Posi mendja më përcijll
nd'Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.


Ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;


e si zogzitë ndë pyyllt,
Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t'amblëtuom.


PËR NDIMË TË GJITHË KËRSHTENIMIT ARBËNIT

Të kërshtenë, o ju, qi ini
Nd’Arbanë të pagëzuom
Qi fenë mirë e dini
Se u ashtë për të shëlbuom


Këtë letërë e përzini
Qi juve kam dërguom,
Gja kafshë n co të xini
Këtë jetë tue shkuom.


N’dorë e merri, e këndoni,
Ju qi dini me kënduom,
Vini veshët e ndëgjoni
Ju qi dini me ndëgjuom,


Këto fjalë i ligjëroni
Si kankë tue kënduom,
E me za t’i vjershoni
Fort t’amblë e të ngushëlluom.


Vetëhenë ta qërtoni
Lotë tue i lëshuom,
Atë jetë ta kujtoni
Ndë shpirt tu’ lulëzuom.
N cë mirashit mos mëngoni,
N cë keq tue u larguom
Tënëzotë e ta lëvdoni,
Mirë tue veprëruom.


Qi motnë të mos e shkoni
Ndë mkat pçtjellë e ngatëruom,
Po jetenë ta kujtoni,
Qi u ashtë për të shëlbuom.


Asgja mos lakëmoni
Mbë dhet me zotënuom,
Po qielltë dëshëroni
Qi u janë përmetuom.

                        (1618)
Madhështi e njerëzve

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?


Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?


Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?


Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?


Ku janë ata letërorë
t'urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?


Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?


Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s'i shikoi,
as të vobegë,as të begatë.


                        (1618)
O i pa fat njerii

O i pa fat njerii
Gjithe nde te keq harruom,
I dhane nde madheshti,
Nde mkat pshtielle e ngaterruom;

Ndo plak je, ndo j rii,
Perse s'shtie te kuituom,
I vobeg ndo zotenii
N ceije iee kriiuom?

Balte e dheu ce zii
E io ari ce kulluom,
As engjiishi ce tii
Ndo guri ce paacmuom;

Kaha te vien n dore tyy
Mbe te madh me u levduom
Nde sqime e nde madheshtii
Tinezot me kundreshtuom?

Lavdine tand te levduom,
Ti pa vene ree vete,
Ame cote idhenuom,
Kuur leve mbi kete jete,

Aty s'prune begatii,
As vistaar te levduom,
As urte a diekeqii,
As gure te paacmuom;

Aty s'prune madheshtii,
As dinje me ligjeruom,
As vertyt as trimenii,
As vetiu me ndihmuom;

Aty s'prune zotenii,
Kual te bukur as te cpeite,
As dinje e gjeni,
As te mirete as te keqte;

Po leve gjithe mendryem,
Ame n cote idhenuom,
Tue qaam mallenjyem,
Me nje zaa te helmuom...







All the contents on this site are copyrighted ©.