Ipeshkvijtë francezë dhe spanjoll në shtegtim në Santiago të Kompostelës, në Spanjë.
(20.07. 2010 RV)Tani që nuk kanë mbetur veç katër muaj nga vizita e ardhshme
e Papës Benediktit XVI në Santiago të Kompostelës, më 6 nëntor, 15 ipeshkvijë francezë
të dioqezave nëpër të cilat përshkohet “rrugëtimi francez”, gjenden në shtegtim dyditor
tek varri i Shën Jakut. Në krye të delegacionit francez është kryeipeshkvi i Bordosë
kardinali Zhan Pier Rikar. Viti 2010, kujton gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”
është Vit i Shenjtë i Kompostelës. Kjo ndodh sa herë që 25 korriku, festa e Shën Jakut,
bie të dielën. (Hera e fundit ishte më 2004. E ardhshmja do të jetë më 2021). Në fakt,
për të inauguruar këtë vit, më 31 dhjetorin e kaluar, në katedrale u hap Porta e Shenjtë. Është
ky një shtegtim ungjillëzimi, i reflektimit mbi lutjen dhe fenë, në të cilin marrin
pjesë edhe disa ipeshkvijë spanjoll, kryesuar nga kryeipeshkvi i Santiagos, Hulian
Barrio Barrio. Gjatë këtyre dy ditëve ipeshkvijtë po merren me shqyrtimin e disa udhëzimeve
të përbashkëta të baritorisë, duke e thelluar përmasën e krishterë të shtegtimit,
promovimin e mikpritjes dhe theksimin e këndvështrimit shpirtëror të udhëtimit të
tyre me kremtime liturgjike. Ka rrugë të ndryshme shtegtimi për të mbërritur në
Santiago të Kompostelës. Përveç asaj klasike që kalon nga Ronçisvale, është edhe rruga
që niste nga Parisi nëpër Tur e Bordo; vjen pastaj rruga Limozhit, e abacisë së Madlenë
dë Vezelé në Limozh dhe Perigò, si edhe rruga që nis nga Konkë e Muasak dhe, ajo që
fillon nga qytetet e Arlë dhe Toluzës. Kjo e fundit është rruga e besimtarëve që vijnë
nga lindja.