2010-07-20 15:48:41

Benedikti XVI dhe vullneti i Zotit, kremtuar në liturgjinë e sotme


(20.07.2010 RV)“Ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiell, është për mua vëlla, motër e nënë”. Kështu thotë Ungjilli i sotëm sipas Mateut, duke vënë në dukje atë cilësi, njëkohësisht njerëzore e hyjnore, që Zoja e Bekuar dhe shenjtorët e kanë bërë të shkëlqejë me intensitet të jashtëzakonshëm: respektimi i vullnetit të Hyjit. Mbi këtë temë, Papa Benedikti XVI reflekton në homeli të shumta gjatë papnisë së tij.


Në një natë të zakonshme të Nazaretit, një rrokje e thjeshtë bën që të ulet hiri i Zotit mbi kryet e njerëzve. Një vajzë e re hap zemrën e ul kokën, duke thënë veç “po” e, që nga ai çast, rrjedha e ngjarjeve mbi Tokë ndryshon përgjithmonë, pasi jehona e atij pranimi, pa kundërshtime e dyshime – vërente Benedikti XVI para disa vjetësh – i lejon akoma edhe sot Hyjit “të vizitojë njerëzimin me mëshirën e vet”. Ajo “ja ku jam” absolute e Shën Marisë para Zotit është një nga imazhet më të fuqishme të fesë së krishterë. E pas mëse 20 shekujsh nga ajo natë e Nazaretit, është edhe më provokuesja. Sepse, në epokën aktuale të lirisë pa kufi e të kërkimit të të drejtave, duke harruar detyrat, në një epokë ku ngritja në qiell e individualitetit e ka plagosur rëndë thjeshtësinë e përvuajtërinë, ideja e një personi që e anullon krejtësisht vullnetin e vet para një tjetri kuptohet pak e aq më pak, tolerohet:
“Njeriu nuk i beson Zotit. Ai dyshon se Hyji, në fund të fundit, i heq diçka nga jeta, se Zoti është rival, që kufizon lirinë e se mund të jemi plotësisht qënie njerëzore vetëm kur ta kemi lënë mënjanë; pra, se vetëm në këtë mënyrë mund ta realizojmë plotësisht lirinë tonë. Njeriu jeton me dyshimin se dashuria e Zotit krijon varësi e se është e nevojshme ta zhdukë këtë varësi për të qenë plotësisht vetvetja… Në vend të dashurisë, i jep rëndësi pushtetit, me të cilin dëshiron të marrë në dorë në mënyrë autonome, jetën e vet” (8 dhjetor 2005).
Në këtë skenar, ndërmjet pushtetit e dijes, jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte, Maria e Nazaretit – përsërit shpesh Papa – bëhet personifikimi i pushtetit dhe i dijes së Hyjit, që ekziston dhe e shndërron mrekullisht atë njeri, që i thotë “po”:
“Njeriu që e braktis krejtësisht veten në duart e Zotit nuk bëhet buratin i Hyjit, një person i mërzitshëm, që është gjithnjë dakord; ai nuk e humb lirinë e tij… Njeriu që kthehet nga Zoti nuk bëhet më i vogël, por më i madh, sepse falë Hyjit e sëbashku me Të, bëhet i madh, bëhet hyjnor, bëhet vërtet vetvetja. Njeriu që e lë veten në duart e Zotit nuk largohet nga të tjerët, duke u mbyllur në kullën e tij të fildishtë; përkundrazi, vetëm atëherë zemra e tij hapet vërtet dhe ai bëhet i ndjeshëm e pra, më i mirë e më i dashur” (8 dhjetor 2005).
Njeriu që e pranon Zotit, bëhet më i mirë e më i dashur, por edhe më i fortë e më i kujdesshëm, siç dëshmon Jezu Krishti në takimin me Qoftëlargtin në shkretëtirë:
“Jezusi, në të kundërtën e kritereve njerëzore, vendos të vetmin kriter të vërtetë: bindjen ndaj vullnetit të Hyjit. Edhe ky është mësim themelor për ne: nëse mbajmë në mendje e në zemër Fjalën e Zotit, nëse ajo hyn në jetën tonë, mund t’i qëndrojmë çdo lloj gënjeshtre të Tunduesit” (21 shkurt 2010).
Nga Nazareti në Betlehem protagonistët e parë të Ungjillit lëvizin në rrethana të ndryshme me një bindje të përbashkët: të kuptojnë e të plotësojnë vullnetin e Zotit në çdo çast. Një vlerë kjo, që vetë Krishti e mëson nga prindërit, vëren Benedikti XVI:
“Në periudhën e kaluar në Nazaret, Jezusi nderoi Shën Marinë Virgjër e Jozefin e drejtë, duke iu nënshtruar autoritetit të tyre gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës. Në këtë mënyrë, hodhi dritë mbi vlerën parësore të familjes në edukimin e njeriut” (31 dhjetor 2006).
Edhe më i qartë është Papa, kur e lidh thirrjen për meshtari me respektimin e vullnetit të Hyjit. Meshtari që nuk e kupton kështu misionin e vet, theksoi Benedikti XVI, jo më larg se më 20 qershor të këtij viti, nuk e do vërtet Zotin e të tjerët, por vetëm vetveten e paradoksalisht, e humb vetveten:
“Meshtaria – ta kujtojmë gjithmonë – themelohet mbi guximin për t’i thënë “po” vullnetit të tjetërkujt, me bindjen, që duhet rritur çdo ditë, se nga respektimi i vullnetit të Zotit jo vetëm nuk do të zhduket origjinaliteti ynë, por, përkundrazi, do të zhytemi gjithnjë e më thellë në të vërtetën e qenies e të shërbimit tonë” (20 qershor 2010).
Pra, thekson Papa, jeta e njeriut pa fanarin e vullnetit të Hyjit është një rrugë pa dalje, e verbër. Për Atin e Shenjtë, modeli është dhe mbetet ajo vajzë e vogël e Nazaretit, e cila i pat sugjeruar këtë lutje, në përfundim të homelisë së parë të Benediktit XVI në Festën e Zojës së Papërlyer:
“Merr guxim të shkosh me Zotin! Provoje! Mos ki frikë prej Tij! Merr guxim të rrezikosh me fenë! Merr guxim të rrezikosh me mirësinë! Merr guxim të rrezikosh me zemrën e pastër! Kompromentohu me Zotin, atëherë do ta shohësh se kështu jeta hapet e ndriçohet, nuk bëhet e mërzitshme, por mbushet me të papritura pa fund, sepse mirësia e Zotit nuk ka fund kurrë!” (8 dhjetor 2005)







All the contents on this site are copyrighted ©.