2010-07-20 15:02:41

Atë Konrad Gjolaj në dhjetëvjetorin e vdekjes.


Françeskani Atë Konrad Gjolaj është një nga emrat që rrallë e kurrë përmenden ndër mjetet zyrtare të komunikimit; një nga njerëzit për të cilët nuk kujtohet kush, kur debatohet pati apo s'pati disidencë në Shqipërinë e diktaturës, një nga ata që nuk figurojnë në vitrinat e librarive. Por kjo nuk mund ta shlyejë emrin e tij e të atyre, që flijuan jetën për t'i qëndruar besnikë Krishtit! Edhe në mos u kujtofshin mbi tokë, besimtarët janë të sigurtë se emrat e tyre janë të shënuar me gërma ari në Librin e madh, të amshuar të qiellit, ku shkruan e shlyen vetë dora e Zotit.
Një prej këtyre emrave po kujtojmë sot: Atë Konrad Gjolajn, që ndërroi jetë dhjetë vjet më parë në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkodër.
Jeta e tij, filluar më 2 janar 1918 në Velipojë, është simbol sa i dhimbshëm, aq edhe i lavdishëm i rrugës që përshkoi shumica e meshtarëve katolikë shqiptarë, dëshmi e gjallë se në Shqipërinë e diktaturës komuniste pati disidencë të fuqishme, në emër të idealeve të pavdekshme të Fesë e të Atdheut.
Nxënës i një gjermani të kulturuar, që derdhi gjakun në e për tokën shqiptare, bir në shpirt i së cilës ishte, Don Alfons Trackit, Atë Konradi eci besnikërisht në gjurmët e mësuesit martir. Ishte vetëm 25 vjeç kur u ngjit në elterin e bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, që njihet si katedralja e Romës, për të kremtuar Meshën e parë, për ta vijuar pastaj misionin në Atdhe, ku më 1947 u arrestua vetëm pse ishte rregulltar françeskan.
I përgatitur me kulturën e përgjithshme më të gjerë të kohës në Liceun "Illyricum" në Shkodër dhe më pas në Universitetin “Antonianum” të Romës, ku u doktorua në drejtësi kanonike, ai diti të mbronte idealet fetare e atdhetare me dinjitet të pashoq e aftësi të rralla juristi, para gjyqit farsë të komunistëve, drejtuar nga gjykatës të përgatitur ndër kurse kundër analfabetizmit, në duar të të cilëve qenë partia e pushteti, drejtësia e vetë jeta e qytetarëve të ndershëm e të pafajshëm.
Në vend që të lirohej me admirim për mbrojtjen e jashtëzakonshme që nxirrte në dritë pafajësinë e tij, duke fajësuar gjykatësit, për Atë Konradin nisi udha e kryqit, kalvari i një populli e vendi, ku drejtësia nuk ekzistonte. Rrugën e jetës së tij, sa të mundimshme, aq të lavdishme, që e përfundoi si sot dhjetë vjet, na e la trashëgim në shkrimet e botuara ndër faqet e revistës "Hylli i Dritës" dhe në atë që e quajti "vepra eme e mbrame" në librit e tij me kujtime "Çinarët".







All the contents on this site are copyrighted ©.