2010-07-19 17:16:22

Veladoni i bardhë i Papës u spërkat me gjak, në lagjen romake të Shën Lorencit.


(19.07.2010 RV)Gjashtëdhjetë e tre vjet më parë Roma goditej mu në zemër. Menjëherë pas bombardimit të lagjes romake të Shën Lorencit, më 19 korrik 1943, Piu XII doli nga Vatikani për t’u shprehur solidaritetin viktimave. E veshja e tij e bardhë u spërkat me gjakun e të plagosurve, që kishte shkuar t’i ngushllonte me praninë e tij prej ati e bariu. “Shpresës sonë të arsyeshme, ia zuri vendin zhgënjimi. E sot kemi parasysh këtë realitet, tejet të trishtuar” - komentoi me ankth të thellë Papa, duke u gjunjëzuar në qendër të lagjes, bërë rrafsh me tokë, me 3 mijë kufoma, në sa 6 mijë të plagosur rënkonin rreth tij. Ishin viktimat e bombave, lëshuar nga bombardierët anglo-amerikanë të cilët, në vend që të godisnin stacionin hekurudhor, objektiv strategjik, rrënuan shtëpitë dhe jetët e 3 mijë civilëve.
Nga ora 11.03 deri në 12.10 aviacioni amerikan bombardoi stacionet hekurudhore të Litorios, në rrugën Salaria e të Shën Lorencit; pak më vonë, edhe aeroportet e Litorios e të Çampinos. Operacioni quhej “Crosspoint”. 362 bombardierë vijuan të lëshojnë bombat e tyre, duke fluturuar 6000 metra mbi tokë e duke arritur deri tek stacioni i Tiburtinës. Goditja më e fortë, që i qe bërë ndonjëherë Italisë nga qielli: 1. 060 tonelata lëndë shpërthyese, 4 mijë bomba të llojeve të ndryshme, që kallën edhe flakë të shumta në zonat e goditura të Qytetit të Amshuar, që po digjej përsëri, në sa shikonte si shtohej tragjikisht numri i të vdekurve.
“Do të bëjmë ç’është e mundur t’i ndihmojmë, me të gjitha mjetet që kemi në dorë, njerëzit e dioqezës sonë, të vënë në një provë kaq të rëndë, mes rrënojave, që patëm rastin t’i shikojmë me sytë tanë”, u tha të pranishmëve Papa në atë ditë vërtet dramatike, kur ishte tejet e vështirë të gjeje fjalë të përshtatshme edhe për të ngushëlluar.
E romakëve u themi, vijoi: “Tregojeni pikërisht sot, më shumë se kurrë, zjarrin e asaj feje, për të cilën Apostulli i Popujve i lavdëronte paraadhësit tuaj. Shpresa e krishterë do t’ju ndihmojë t’i pranoni dhimbjen e mungesat. Gjëma e madhe do t’ju nxisë të pastroni shpirtrat tuaj, të pendoheni për mëkatet e të riktheheni tek Zoti”.
Piu XII ishte përpjekur ta shpëtonte Romën nga shkatërrimi me një veprimtari të dendur diplomatike, rezultatet e së cilës u dukën pak më vonë, kur fluturimet e Aleatëve u ralluan, siç e dëshmon edhe Shtatorja e Zojës mbi Monte Mario, kthyer këto ditë në vendin e vet, pas restaurimit, ngritur për të plotësuar kushtin e Papës Paçeli.
Pa ndërhyrjet e Piut XII, kryeqyteti i Italisë nuk do të ishte ky, që është sot. Dëshmoi, kështu, sa shumë e kishte për zemër fatin e Romës, e jo më pak, të mbarë njerëzimit.
Nga kjo ditë e paharrueshme mbeti një fotografi, që e paraqet Piun XII me krahët e hapur, në gjestin e tij karakteristik të bekimit.
“Nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa e historisë gjesti bujar, i kryer me këtë rast nga Paraardhësi im, që vrapoi menjëherë t’i ndihmonte e t’i ngushëllonte popullsitë e goditura rëndë, ndërmjet gërmadhave, prej nga vijonte të dilte tym e bombave, ende të pashpërthyera”. Kështu u shpreh Benedikti XVI më 30 nëntor 2008, duke kujtuar, në Bazilikën e Shën Lorencit, vizitën e Papës Paçeli në lagjen e goditur për vdekje, gjashtëdhjetë e tri vjet më parë…

  







All the contents on this site are copyrighted ©.