2010-07-19 17:43:50

Tadiç: Beogradi nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës


(19.07.2010 RV)Beogradi është gati të kërkojë një kompromis për çështjen e Kosovës, por kurrë dhe në asnjë rast nuk do ta njohë pavarësinë e saj. Kështu deklaroi presidenti serb, Boris Tadiç, në fillim të vizitës dy ditore të homologut të tij kroat, Ivo Josipoviç, që përfundoi sot, me takimin me artistët në Beograd.
Të enjten, më 22 korrik, pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Megjithëse ky vendim nuk është i detyrueshëm, sipas Tadiçit, pas shpalljes së tij, duhet rifilluar diskutimi mbi statusin e vendit. “Serbia – tha dje presidenti serb – është kundër çdo akti ndarjeje, si për Kosovën, ashtu edhe për territorin e Bosnjës e për vende të tjera”.
Nga ana e tij, presidenti kroat Josipoviç, duke nënvizuar se Kroacia e njeh pavarësinë e Kosovës, deklaroi se Zagrebi nuk ka ndërmend të bëjë ndërmjetësuesin në problemet ndërmjet Beogradit e Prishtinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.