2010-07-19 08:04:28

Sot më 19 korrik kalendari Kishtar përkujtoi Shën Makrinën, murgeshë


Makrina ishte e parëlindura prej dhjetë fëmijëve të Bazilit e të Emelies, familje nga Ponti i Greqisë e familje e bekuar prej Zotit, që ndër bijtë e vet pati përveç shën Makrinës edhe shën Bazilin e Madh, ipeshkëv i Cezaresë, shën Gregorin ipeshkëv i Nisës, e Pjetrin meshtar e murg.
Shenjtja njihet me emrin Shën Makrina “e re”, për t’u dalluar nga e gjyshja, që kishte të njëjtin emër e që ishte ndjekëse e Shën Gregorit mrekullibërës. Gjyshi i saj nga ana e nënës qe martirizuar në epokën e Dioklecianit.
Makrina qe edukuar nga gjyshja në njohuritë e Shkrimit të Shenjtë, Biblës e që në moshë të re e ndihmonte të ëmën e saj në punët e shtëpisë e në edukimin e të gjithë vëllezërve, aq më tepër kur e ëma mbeti vejush pas lindjes së fëmijës të dhjetë.
Kur të gjithë bijtë qenë sistemuar në mënyrë të përshtatshme, nënë e bijë mbetën vetëm, e Makrina e bindi të ëmën për t’u tërhequr së bashku në vetmi në Anezi pranë Horës në Ponti, pranë lumit Iris, për të themeluar një manastir për t’iu kushtuar Zotit e meditimit të Fjalës së Tij jetëdhënëse e ku do të ndiqeshin edhe nga shërbëtoret e shtëpisë së tyre në jetën murgare.
Makrina pati ndikim të madh tek i vëllai Bazili, i cili e braktisi jetën shekullare prej eruditi për të përqafuar, rreth vitit 356 jetën murgare, pastaj bëhet ipeshkëv i Cezaresë në vitin 370, duke u kthyer tek e motra për vizitë në manastire në vitin 376; e shuguroi meshtar të vëllain e vogël Pjetrin, që jetoi në një manastir afër atij ku jetonte e motra; Bazili vdiq më 1 janar 379.
Me vdekjen e nënës së saj më 373, Makrina bëhet eprore e manastirit; në vitin 380 i vëllai, Gregori që qe bërë ipeshkëv i Nisës, duke u kthyer nga Koncili Kishtar i Antiokisë, deshi të kalonte për vizitë tek e motra në Anezi, por e gjeti në shtratin e vdekjes e pati me të një bisedë të paharrueshme që u pavdekësua në faqet e dialogut “Mbi shpirtin dhe ringjalljen”. Vetë Gregori, duke i shkruar një letër murgut oshënar Olimpit mbi doktrinën asketike e shpirtërore, tregon jetën e Shën Makrinës si shembull të një jete kushtuar krejtësisht Zotit. Makrina vdiq më 380.







All the contents on this site are copyrighted ©.