2010-07-19 16:46:47

Papa në Engjëllin e Tënzot: vera është kohë e mbarë për të dëgjuar Fjalën e Zotit.


(19.07.2010 RV)Vera është çast i përshtatshëm për t’i dhënë vendin e parë dëgjimit të Fjalës së Zotit. Këtë pohoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga ballkoni i oborrit, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Ati i Shenjtë, që po kalon një periudhë pushimesh verore në selinë papnore të qytezës laciale, nënvizoi se, para së gjithash, njeriu ka nevojë për Zotin.RealAudioMP3

Vera është kohë kur shkollat mbyllen e shumica e njerëzve, që punojnë gjatë gjithë vitit, nisin një periudhë, të shkurtër a të gjatë, pushimesh. Madje edhe veprimtaritë baritore të famullive bëhen më të rralla. E megjithatë, duhet shikuar si kohë e mbarë për të thelluar takimin me Fjalën e Zotit:
“Një çast i favorshëm, pra, për ta vënë në vend të parë atë, që është më e rëndësishme në jetë, domethënë dëgjimin e Fjalës së Zotit. Na e kujton edhe Ungjilli i kësaj së diele, me episodin e mirënjohur të vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, rrëfyer nga Shën Luka”.
Në fragmentin ungjillor, Marta është e mbytur në punë. Përgatit shtëpinë, për ta pritur sa më mirë Mikun e madh, që arrin sakaq. Maria, e mahnitur nga prania e Jezusit, ulet tek këmbët e tij, që të mos i shpëtojë asnjë fjalë. Marta ankohet për sjelljen e së motrës, që s’tundet nga vendi, për ta ndihmuar. Por Jezusi i përgjigjet:
Martë, Martë - e përsëritja e këtij emri shpreh përzemërsi - ti po lodhesh e po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, vetëm një gjë është vërtet e nevojshme. Maria ka zgjedhur pjesën më të mirë, që nuk do t’i merret”.
Fjala e Krishtit, shpjegoi Papa, është tejet e qartë:
“Asnjë përbuzje për jetën aktive, aq më pak për mikpritjen bujare; thjesht, kujtohet se tjetërgjë është vërtet e nevojshme: të dëgjosh Fjalën e Zotit; e Zoti atë çast është aty, i pranishëm, është Jezusi vetë. Gjithçka tjetër do të kalojë, do të merret, por Fjala e Zotit është e amshuar dhe i jep kuptim të gjitha ngjarjeve të jetës së përditshme”.
Faqja ungjillore e vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, shtoi Ati i Shenjtë, tingëllon posaçërisht aktuale në këtë kohë pushimesh:
“… na kujton se njeriu vërtet duhet të punojë, të impenjohet në punët shtëpiake e profesionale, por mbi të gjitha ka nevojë për Zotin, që është drita shpirtërore e Dashurisë dhe e Vërtetësisë”.
Jeta njerëzore duhet të ketë një farë kuptimi, përndryshe gjithçka do të dukej e do të ishte e zbrazët, e kotë, pa domethënie, me një fund tragjik:
“Pa një domethënie të thellë, gjithçka bëjmë s’është tjetër, veçse aktivizëm i shterpët e i çrregullt. E kush mund të na e dhurojë Dashurinë e Vërtetësinë, përveç Jezusit? Të mësojmë, prandaj, të dashur vëllezër, për ta ndihmuar njëri-tjetrin, të bashkëpunojmë, por para së gjithash, të zgjedhim së bashku pjesën më të mirë, që do të jetë përgjithmonë pasuria jonë më e madhe”.
Duke iu drejtuar, në përfundim të lutjes, besimtarëve, Papa nënvizoi se ‘kush përbun Zotin, kush ia hap portat e jetës së vet, merr pasuri të pallogaritshme: “Zoti dëshiron të vijë tek ne e të na dhurojë Fjalën e tij të gjallë, praninë e tij e miqësinë e tij. Mos t’ia mbyllim portat, përfundoi Ati i Shenjtë, dhuratës së dashurisë së Hyjit, por ta lëmë të na shndërrojë, që të mundemi, kështu, të bashkëpunojmë me Mbretërinë e tij të paqes e të drejtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.