2010-07-19 16:47:40

Në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, ndërmjet motrave e vëllezërve të saj kundrues në Romë


(19.07.2010 RV)Afrohet data e madhe e ditëlindjes së njëqindtë të së Lumes Nënë Terezë, në kuadrin e së cilës, në të katër anët e botës shumëfishohen nismat, kremtimet, shtegtimet në drejtim të viseve më të dashura për Themeluesen e Motrave të Bamirësisë: në vendlindje, në Kishat që i deshi më shumë, në viset ku la jetën peng në duart e të varfërve më të varfër, për hir të një dashurie, që i kapërcen kufijtë e jetës e të vdekjes: dashurisë për Krishtin.
Të gjitha shtëpitë e motrave të Nënë Terezës, në të katër anët e botës, përgatiten të nisin, që më 1 gusht, veprimtaritë përkujtimore. Po ndalemi sot në programin e kremtimeve të Motrave e të Vëllezëve Kundrues të Bamirësisë, me qendër në Sheshin e Shën Gregorit, në Çelio të Romës, të cilët tashmë e kanë shpërndarë në të katër anët progamin e tyre të kremtimeve. Titullohet: “Festa e së Lumes Terezë të Kalkutës”, në njëqind vjetorin e lindjes, 26 gusht 2010. Është dita, që i fali Kishës, botës e sidomos shqiptarëve, Gruan e vogël- aq të madhe, njëqind vjet më parë, në një shtëpi të thjeshtë të Shkupit, në vatrën e një familjeje me gjak shqiptar. Nga faqja e parë e programit, të shikon nga një fotografi, si gjithnjë buzagaze, Nënë Tereza.
Kremtimet do të nisin pikërisht me hapjen e një ekspozite fotografike kushtuar jetës, veprave e mesazhit të së Lumes. Ekspozita do të hapet në orën 17. 00, në Sheshin e Kancelerisë, n.1, në Romë e do të pasohet nga Mesha solemne, kremtuar në Kishën e Shën Lorencit në Damaso, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri.
Kremtimet do të vijojnë çdo ditë, nga data 26 gusht deri më 3 shtator, në shtëpitë e misionareve kundruese, në Rrugën Dragoncello, 68, Açilia, ku do të fillojë edhe nëntëditëshi i lutjes. Në mjediset e vëllezërve kundrues të bamirësisë, nga e marta, 31 gusht, e deri më 4 shtator do të kremtohet Adhurimi i vazhdueshëm i Eukaristisë.
Më 4 shtator në Kishën e Shën Gregorit në Çelio do të kremtohen lutjet e mbrëmjes. Më pas, do të shfaqet një Oratorio kushtuar së Lumes, me muzikë e tekst të Marçelo Bronxetit.
Më 5 shtator, datë kur Motra e Lume shqiptare u kthye në shtëpinë e Atit qiellor, në të gjitha shtëpitë e Misionareve e Misionarëve të Bamirësisë, në Romë e në botë, do të kremtohen Meshë. Eukaristia solemne, që do të kremtohet në Kishën e Shën Gregorit në Çelio, do të kryesohet nga kardinali Ivan Dias e do të këndohet nga kori i famullisë së Orvietos.
Më 11 shtator, pranë vëllezërve kundrues të bamirësisë, në rrugën Shën Agapito, 8, Largo Preneste, Meshën do ta kryesojë kardinali Agostino Valini.
Më 7 tetor kremtimet do të arrijnë kulmin, e përfundimin: do të kremtohet Dita e Falënderimit, me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë. Kremtimet do të nisin me adhurimin e Eukaristisë, do të vijojnë me mbylljen festive të ekspozitës fotografike e me Meshën e falënderimit, që do të kremtohet në Kishën romake të Shën Lorencit në Damaso, kryesuar nga imzot Ernesto Mandara. Mesha do të shoqërohet nga kori i lëvizjes së “Përtëritjes shpirtërore”.
Për më shumë: www.motherteresa.org/centenary/program.html


 







All the contents on this site are copyrighted ©.