2010-07-19 17:44:31

Fillon konferenca e donatorëve për Afganistanin


(19.07.2010 RV)Fillon nesër Konferenca Ndërkombëtare e Kabulit, që do të mbledhë në kryeqytetin afgan ministrat e jashtëm të së paku 70 vendeve donatore. Presidenti Karzai shpreson të fitojë miratimin e bashkësisë ndërkombëtare për planin qeveritar të zhvillimit, administrimit dhe qëndrueshmërisë së vendit. I kërkuam një koment drejtoreshës për programet e zhvillimit të shoqatës “Christian Aid” (Ndihma e krishterë), Serena di Mateo, me telefon nga Kabuli:
Ka disa kundërshtime për mënyrën si është organizuar konferenca. Do të vijë një numër i jashtëzakonshëm ministrash të jashtëm e prisnim një pjesëmarrje më të madhe të organizatave joqeveritare lokale e të shoqërisë civile afgane. Gjithsesi do të jetë një ngjarje e nivelit shumë të lartë. Nuk di sa do të pasqyrojë përparësitë e popullit afgan, nevojat më urgjente e shpresoj të mos flitet vetëm për politikë, por edhe për procesin e pajtimit, që ka filluar muajt e kaluar. Ne shqetësohemi për kërkesat e popullsisë afgane, për rindërtimin, për zhvillimin, pa të cilat nuk mund të kemi as paqe e as siguri.
Praktikisht, për çafrë ka më shumë nevojë popullsia afgane?
Të drejtat e njeriut janë themelore: edukimi, uji, burimet, bujqësia, zhvillimi bujqësor, gjithçka që mund të ndihmojë mënyrën e jetesës dhe jetën e popullsisë afgane. Duhet të dalim nga ky nivel i frikshëm varfërie, pasi Afganistani është i dyti, pas Nigerisë, për varfëri.
Nuk është hera e parë që bashkësia ndërkombëtare mblidhet për Afganistanin, por pa ndonjë rezultat të dukshëm. Edhe kjo konferencë rrezikon dështimin?
Këtë kemi frikë ne. Pas takimit të Londrës, rrezikojmë që edhe kjo konferencë të mos japë rezultate. Pa dyshim, janë shumë pikat që duhen diskutuar në rendin e ditës së presidentit Karzai dhe ministrave të jashtëm të 70 vendeve, por duhet parë edhe zhvillimi i vendit, e ardhmja, që nuk mund të ndërtohet pa përmirësimin e sigurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.