110-vjetori i ditëlindjes së Atë Çiprian Nikës, martir i fesë në Shqipërinë komuniste.
(19.07.2010 RV)Dedë Nika, që më vonë do të merrte emrin rregulltar Çiprian, lindi
në Shkodër më 19 korrik 1900 në familjen e Mëhillit e të Ana Ali Mirashit. Shkollën
e parë e bëri në prehër të prindërve, besimtarë të devoçëm katolikë. Mësimet
fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen për të ecur në rrugën
e jetës rregulltare françeskane. Veshi zhgunin e Shën Françeskut të Asizit më 16 tetor
1916; më 23 tetor 1917 bëri kushtet e përkohshme të jetës rregulltare; më 16 shtator
1921, kushtet e përjetshme rregulltare, ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 25 korrik
1924. Studioi filozofi e teologji, më parë në Shkodër e më pas në Austri,
ku i përsosi e i kreu studimet e larta. Më 17 qershor 1938 u zgjodh provinçial i Provinçës
Françeskane të Zojës Nunciatë; ishte i pesti provinçial shqiptar. Kishte përkrah,
si kustod, Atë Mati Prendushin. Në vitin 1941 ishte definitor i Provinçës, ndërsa
në vitin ogurzi 1946 - i burgosur politik, së bashku me 15 fretër të tjerë, ndërmjet
të cilëve, pesë martirë të ardhshëm. Ishte nëntor, kur e arrestuan me akuzën e fshehjes
së armëve në kishën françeskane të Gjuhadolit në Shkodër. Një bashkëvuajtës,
që ndau me Atë Çirpian Nikën qelinë, e kujton kështu: ˝Në qelinë e vogël ku më flakuen,
gjeta një frat të heshtun, të gjujuem, që lëvizte buzët, por pa lëshue za. Lutej.
Fëtyra e tij e përvujtë rrezatonte besim e shpresë, sidomos kur përsëriste lutjen:
“O Ati em, më ndihmo me kenë i dęjë për hirë e dashtëni tande”. Atë Çirpian
Nika u pushkatua nga komunistët pa gjyq më 11 mars 1948. Ati qiellor ia dëgjoi
lutjen. Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar i shenjtë, i përvuajtur,
i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha
kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim. E përmbush
edhe të gjitha kushtet që në Kishën katolike e përjetësojnë njeriun që dhuroi gjithçka
ishte e kishte për Zoti e për njeri, për Fe e Atdhe. Po e përfundojmë përkujtimin
e 110- vjetorit të lindjes së Atë Çirprianit me lutjen: Ndermjetëso për ne, që të
bëhemi të denjë për hirë e dashuri të Krishtit Zot!.