2010-07-18 10:10:22

Rubrika Shembëlltyrat IV: A është Jezusi autori i shembëlltyrave?


(18.07.2010 RV)Kur flasim për shembëlltyrat, ose kur i lexojmë, pyetja më delikate është: “Shembëlltyrat i tregoi Jezusi gjatë jetës së tij tokësore, apo u krijuan nga të krishterët e parë e nga ugjilltarët, duke u nisur nga dëshmitë e besimtarëve, që i kishin dëgjuar me veshët e tyre? Përgjigjja e kësaje pyetjeje, sipas mendimit të shumicës së studiuesëve më seriozë, është se dolën nga goja e vetë Jezusit. E kjo, sepse janë tejet origjinale, bëjnë përshtypje të thellë e të menjëhershme, kanë një gjallëri të pazakontë e arrijnë, me mjetet më të thjeshta, të shpjegojnë misteret më të mëdha, si ai i Zotit e i mbretërisë së tij.
E kush tjetër, veç Krishtit, Rabì, mësuesit, që i linte njerëzit me gojë hapur, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët (Mk 1,22), mund t’i ketë krijuar këto brilante, që nuk vjetrohen kurrë? Pa dyshim që edhe mund të kenë pësuar ndonjë ndryshim, mund të jenë prekur në rrjedhë shekujsh. Më parë nga Kisha e lashtë, e më pas edhe nga ungjilltarët. Mund të jetë modifikuar ndonjë element i shembëlltyrave të Jezusit, për t’ia përshtatur çastit kur tregoheshin e nevojave shpirtërore të besimtarëve.
Shembëlltyrat paraqiten në dy forma kryesore. Forma e parë është ajo, që nis me një figurë njerëzore, pa asnjë hyrje. Shembëlltyra e mbjellësit nis me: “Mbjellësi doli për të hedhur farën...”; e vreshtarit me: “vreshtari mbolli një vresht”, e kështu me radhë: huadhënësi që kishte dy borxhlinj; një njeri, që zbriste në Jeruzalem nga Jeriko; një burrë, që kishte dy djem etj.
Forma e dytë dallohet nga e para, sepse nis me një dativ, ashtu si shumica e shembëlltyrave rabinike: ”Me çka mund ta krahasojmë mbretërinë e Hyjit? Ose me ç’krahasim mund ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së senapit....(Mk 4-30)…
Tetë shembëlltyra përfundojnë befas, pa kurrnjë shpjegim. Jezusi ua lë dëgjuesve detyrën të nxjerrin përfundime. Ndërsa në disa raste të tjera, përfundojnë me një shpjegim fare të shkurtër. E pikërisht tek shpjegimi duhen kërkuar ndryshimet e mundshme ndërmjet rrëfimeve fillestare, dalë nga goja e vetë Jezusit, e atyre, që u zgjëruan e u shpjeguan pastaj nga ungjilltarët. Një zgjërim të tillë e gjejmë sidomos tek alegoria e gurit, që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit e që, pastaj, u bë guri i këndit.
Po prekje e modifikime të tilla nuk ia kanë ndryshuar kuptimin shembëlltyrave të Jezusit. Janë ashtu si i tregoi Zoti përballë turmave dymijë vjet më parë. Kur i lexojmë, dëgjojmë zërin e Tij, ndonëse nuk janë gjithnjë ipsissima verba – fjalë për fjalë, pa ndryshimin më të vogël, ashtu si i tha ato ditë, kur u predikonte turmave! E nuk duhet harruar edhe se një pjesë e mirë e shembëlltyrave mbyllin një kapitull të Ungjjve, duke përfunduar me fjalët kuptimplote, aktuale për të gjitha kohët: “Kush ka veshë, të dëgjojë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.