2010-07-18 10:07:02

Për Ditën Botërore të Paqes 2011, Benedikti XVI zgjodhi temën: “Liria fetare, udhë për paqen”.


Dita, që kremtohet në agim të çdo viti të ri e që nisi të festohej për herë të parë në vitin 1968, këtë herë vë theksin mbi temën e lirisë fetare. E kjo, ndërsa në botë vërehen forma të ndryshme të kufizimit ose të mohimit të kësaj lirie, të diskriminimit e të mënjanimit, bazuar mbi përkatësinë fetare, që arrijnë deri në persekutim e dhunë kundër pakicave. Por të dhunosh lirinë fetare, do të thotë të shkelësh mbi të gjitha liritë, sepse ajo, na kujton Papa, është ‘liria e lirive”. Është pishtar në dorë të njeriut që kërkon jo vetëm të vërtetat relative, por sidomos, të vërtetën absolute, Zotin. Atë Zot i cili, na mëson Koncili II i Vatikanit, e bën njeriun pjesëtar të ligjit të hyjnor në mënyrë që, i udhëhequr prej Tij, t’i njohë gjithnjë më thellë të vërtetat e pandryshueshme.
Por ky kërkim nuk është ravgim jashtë kornizës së jetës së përditshme: e në këtë kornizë sot, vërehen diskriminime të papranueshme të pakicave fetare, që arrijnë deri në atë pikë, sa t’i detyrojnë besimtarët të mohojnë pjesën më të rëndësishme të vetvetes, fenë, në se duan të jenë qytetarë aktivë. Dy vjet më parë, para tribunës së OKB-së, Benedikti XVI pohoi: “Njeriu nuk duhet vënë kurrë në kushte të tilla, që e detyrojnë të mohojë Zotin, për të gëzuar të drejtat njerëzore”. E, në ditën e parë të vitit 2011, do t’i kujtojë botës se “Liria fetare është udhë për paqen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.