(18.07.2010 RV)Pas atentateve në Ugandë, e diela e sotme iu kushtua
lutjes. Papa shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve njerëzore në atentatet e Ugandës,
në fshatin etiop të Kabalangës e në Kiadondo Ragbi Kllab në Lugogo, të dielën e kaluar:
76 të vdekur, dhjetra të plagosur e familje në zi. E sot, në të gjitha famullitë
e Ugandës, u kremtuan lutje të veçanta për viktimat e atentateve. Besimtarët e prijësit
e tyre fetarë i dënuan ashpër ata, që kryejnë akte të tilla dhune, pa pikë kuptimi,
duke i shkaktuar vuajtje njerëzve të pambrojtur e duke treguar qartë se kush derdh
gjak të pafajshëm, nuk e di ç’është respekti për njeriun e për jetën njerëzore. Një
lutje e fuqishme, pra, në të cilën u bashkuan zëra nga të katër anët e Afrikës e të
botës së krishterë, duke kërkuar të hiqet dorë nga dhuna, si mjet për zgjidhjen e
konflikteve e të ndiqet rruga e dialogut.
Kinë: Kardinali Ivan Dias,
prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, i dërgoi, të martën e kaluar,
një mesazh imzot Jul Zhia Zhiguo, ipeshkëv ligjor jo zyrtar i dioqezës së Zhengdingut,
në Kinën Kontinentale. Në mesazh shprehet kënaqësia e thellë për rikthimin në seli,
të ipeshkvit guximtar, të cilit Papa i jep, nga larg me distancë, por nga afër me
zemër, bekimin e tij apostolik. Imzot Juli është figurë kyçe e Kishës kineze,
prelat i mirënjohur për vendosmërinë e tij doktrinore, për qartësi e palëkundshmëri
në jetën e fesë e për qëndrim të drejtë ndaj politikës aq të ndërlikuar të shtetit
kinez. U rrëmbye më 31 mars 2009, pikërisht kur në Vatikan zhvilloheshin punimet e
Komisionit plenar, kushtuar Kishës në Kinë. Ishte një përpjekje për t’ia mbyllur gojën.I
lindur më 1 maj 1935, imzot Zhiguo është shuguruar ipeshkëv më 8 shkurt 1981.
Tailandë:
Dialogu ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në shërbim të bashkësisë civile, si
mjet i dobishëm për të zbutur konfliktet e për të nxitur pajtimin në të gjitha nivelet:
ky ishte një nga argumentet e takimit, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun
Ndërfetar, në Qendrën baritore të Baan Phu Van, pranë Bangkokut. Në takimin, që përfundoi
sot, morën pjesë anëtarët e këshillimoreve të dikasterit dhe disa kryetarë komisionesh
ipeshkvnore për dialogun ndërfetar të vendeve aziatike. I pranishëm edhe kardinali
Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor. U shqyrtuan mundësitë për përparimim
me sukses të dialogut ndërfetar, sidomos të dialogut të të krishterëve me induistët,
sikht e zhainistët si dhe me shoqëritë civile. E kjo, me bindjen se ndikimi i liderëve
fetarë mund të hapë rrugën e re të dialogut e të ndërmjetësimit, duke siguruar edhe
rrugëzgjidhje të reja për situatën e tensionuar, në krizë të dyfishtë.
Pakistan:
Në Faisalabad fanatikët islamikë sulmojnë bashkësinë e krishterë. “Disa qindra
islamikë protestuan këto ditë rrugëve të Faisalabadit, duke kërkuar vdekjen e dy të
krishterëve, të akuzuar për blasfemi. Një nga kishat katolike u godit me gurë. Tensioni
vijon të acarohet, ndonëse deri tani gjendja është ende nën kontroll”: këtë dëshmi
i dha Agjensisë Fides rregulltari domenikan, Paskal Paulus, famullitar i Kishës së
Zojës Rruzare në Varis Pura, një nga lagjet e varfëra të Faisalabadit, ku jeton një
bashkësi e krishterë prej njëqind mijë vetësh. Sipas domenikanit, shkak për protestën
ishte një librec, shkruar nga dy vëllezër protestantë, i cili, sipas islamikëve, përmban
fraza blasfeme kundër Muhametit. E fanatikët mendojnë se i duhet dhënë një mësim i
mirë bashkësisë së krishterë, duke mos pritur të dënohet nga qeveria, por duke e dënuar
drejtpërdrejt. Vëllezërit blasfemë sidomos. E jo me burgim, por me vdekje! Ndërkaq
Kisha po përpiqet me të gjitha forcat të rivendosë klimën e dialogut e të harmonisë.
Indi:
sulm i ri kundër misionarëve të krishterë Në Indi vijon veprimtaria e fanatikëve
induistë e myslimanë kundër të krishterëve. Posaçërisht në shënjestër, misionarët.
Njoftimin e jep ‘L’Osservatore Romano’, duke botuar denoncimin e ipeshkvit të Indorës,
imzot Shako Totumarikal. Sipas prelatit, një situatë e tillë tensioni rikrijohet vazhdimisht,
sepse fanatikët veprojnë qetë qetë, të sigurtë se nuk do të dënohen. Ndërsa pakicat
e krishtera nuk janë aspak të qeta, sepse krejt të pambrojtura në nivel shtetëror
e politik. Në këtë atmosferë, misionarët e huaj akuzohen për prozelitizëm. Kërcënohem
sidomos ata që kanë lidhje me mjetet e komunikimit, sepse një lidhje e tillë u krijon
mundësinë të sensibilizojnë mbarë botën në mbrojtje të pakicave të krishtera, të cilat
jetojnë edhe nën kërcënimin e ligjit, që godet ashpër prozelitët. Fanatikët nuk mund
t’i durojnë njerëzit, që zgjedhin lirisht besojmën e tyre.
Irak: Mëkëmbësi
patriarkal i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni, u bëri thirrje gjykatësve irakianë të
punojnë me drejtësi e mëshirë, pas dorëzimit nga forcat amerikane të numrit 2 të Sadam
Hysenit, Tarek Asizit, në duart e autoriteteve irakiane. Në gjendje të rëndë shëndetësore,
pa mjekimet e domosdoshme, Tarek Asizi ka rrezik të vdesë, para se të dëgjojë vendimin
e fundit të gjykatës. Prandaj ipeshkvi thekson: “Drejtësia duhet të bëjë punën e vet,
por pa harruar mëshirën, duke pasur parasysh se nën regjimin sadamist, nuk e kishte
aspak të lehtë të rebelohej, se nuk e deshi luftën e se në kohën kur nuk ishte në
pranga, por në fronin e ministrit, respketohej shumë nga qeveritë e botës. Kujtojmë
se në vitin 2003 Asizi u prit nga Gjon Pali II, i cili u përpoq shumë për t’i dhënë
fund luftës.