2010-07-18 10:11:59

Don Alfons Tracki- 64 vjet më parë, para plotonit të pushkatimit


(18.07.2010 RV)Për ta kujtuar, në çastin më tragjik të jetës së tij, po shfletojmë një faqe nga libri i Fric Radovanit, që rrëmon në arkivat e Gjykatës e të Sigurimit:1
“Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Kryetari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli dhe kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari.
Njoftohet Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “...në bazë të vendimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët :
Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.
Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik...”.

 
“Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, e mjeti ma i mirë i tyne asht harresa!”, shkruan autori i librit, duke shtuar vlerësimin që i bën don Trackit, atë Konrad Gjolaj, në librin ‘Çinarërt’ “Tracki ishte modeli ma i përkryem i meshtarit Katolik”.

 
Më 7 nëntor 2002, një ditë para se të nisej për në Shqipëri, ku shpalli emrat e 40 martirëve, kandidatë për nderimet e elterit, Prefekti i asokoshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, i dha kryeredaktorit tonë, dom David Xhuxhës një intervistë, që përmbledh gjithë simbolikën fetare e shoqërore të këtij udhëtimi. Ndërmjet tjerash, i qe drejtuar pyetja: “Në listën e martirëve, propozuar nga ipeshkvijtë, nuk shënohen vetëm emra martirësh shqiptarë, por edhe italianë e gjermanë, si Atë Giovanni Fausti, Dom Alfons Tracki e të tjerë, që dhanë dëshminë e gjakut për Krishtin e për Kishën e tij në Shqipëri. Na duket se kështu krijohet një ikonë e vërtetë misionare….

Përgjigje: - Misionarët kanë pasur e kanë meritë të madhe që në fillim, sepse këta vëllezër e motra tona, lanë gjithçka, për të ndihmuar në rindërtimin shpirtëror, shoqëror e material, rindërtim që vijon, sepse martirët nuk i pengojnë kufijtë e atdheut, as të kulturës, as të ngjyrës së lëkurës. Eshtë i njëjti gjak, i kuq, që vijon të derdhet në botë - ai që u derdh në trojet shqiptare, duke i hapur udhën misionarëve të tjerë, të cilët bëjnë çmos ta ndihmojnë popullin shqiptar në rilindjen e tij të vështirë.
E duhet ta kemi mirë parasysh se për ta kumtuar Ungjillin e Krishtit, ashtu si edhe për të dhënë ndihmesën në të gjitha fushat e mundshme, duhet hyrë në mendësinë, në jetën konkrete shoqërore-kulturore e fetare. Natyrisht sot për sot prania e misionarëve është shumë aktuale, plot gjallëri, por besojmë se nesër do të jetë Shqipëria ajo që do t'i japë shumë misionarë mbarë kishës; njerëz që e kanë ruajtur fenë në rrethana shumë të vështira, siç ishin ato të salvimit fetar, jo më shumë se dhjetë vjet më parë. E pastaj kemi të bëjmë me traditën tipike të vendeve ballkanike, që bëhet shembull për të tjerët, sepse ai që del nga katakombet, del më i përforcuar në fe, më i fuqishëm. Prandaj kjo dëshmi e besimit fetar, e pëshpirtërisë dhe e jetës së krishterë shqiptare mund t'u sjellë, pa dyshim, shumë dobi edhe kombeve të tjera.
_____
1 Fritz Radovani - de Angeliis, “Një monument nën dhé”, M e l b o u r n e 2 o o 4; Biblioteka “Imzot Lazër Mjeda”, Libri 14; Boton Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci.







All the contents on this site are copyrighted ©.