2010-07-18 10:07:31

Atë Lombardi mbi “Normat për krimet më të rënda”: përgjigje efikase e afatgjatë e Kishës.


Pati jehonë të madhe në botën e komunikimit, publikimi i normave të reja mbi ‘Krimet më të rënda’. Rregullat e reja i krijojnë Kongregatës për Doktrinën e Fesë mundësinë të ndërhyjë në raste krimesh kundër Sakramentit të Eukaristisë, të Rrëfimit dhe të shpërdorimeve seksuale të të miturve nga ana e klerit.
Krime të rënda, këto, kundër Zotit, kundër Kishës e kundër njeriut, të dënuara ashpër që me Motu proprio “Sacramentorum sanctitatis tutela” dhe “Normae de gravioribus delictis” (Norma për krimet më të rënda), miratuar në fillim të viteve 2000 nga Papa Gjon Pali II dhe nga kardinali i asokohshëm, Jozef Racinger.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, sqaroi hollësisht, në një konferencë shtypi, mbajtur të enjten para gazetarëve, ndryshimet e normave në fuqi. E po kësaj teme ia kushton edhe editorialin për të përjavshmen informative të Qendrës Televizive të Vatikanit, “Octava Dies”. Titullohet: “Norma të reja, rrugë e gjatë”:

 
“Me publikimin e normave për trajtimin dhe dënimin e krimeve të shpërdorimeve seksuale mbi të miturit nga ana e anëtarëve të klerit, Kisha bëri një hap të rëndësishëm përpara për përballimin e çështjes, duke dhënë përgjigje afatgjata e me ndikim të fuqishëm mbi situatën. Ligjet, të qarta e të njohura, janë, në të vërtetë, orientim i domosdoshëm për një bashkësi të madhe, siç është Kisha katolike, që duhet të ketë normat e veta të përbashkëta, të pavaruara nga ligjet e vendeve të shumta, të ndryshme, në gjirin e të cilave jeton. Vende ku, gjithsesi, ligjet e drejta civile duhen respektuar e duhen vënë në jetë nga njerëzit e Kishës, ashtu si nga çdo nënshtetas, edhe kur bëhet fjalë për krimin e shpërdorimeve.
Me normat e reja kanonike proceset mund të jenë shumë më të shpejta e më të efikase; gjykatat kishtare mund të pajisen më lehtë me personel shekullar kompetent, koha për parashkrimin dyfishohet, mbeten gjithnjë të mundshme përjashtimet, dënohen rastet e shpërdorimeve mbi të rriturit me aftësi të kufizuara mendore si dhe pedopornografia.
Natyrisht ligji është i nevojshëm, por jo gjithçka. Rëndësi ka impenjimi edukativ, ai i formimit të klerit e i personelit, që punon në institucionet e lidhura me Kishën, i informacionit e i parandalimit, i dialogut e i kujdesit personal për viktimat. Një fushë e pamasë për t’u lëruar, veprimtari në të cilën Kisha po mobilizohet, me shtytjen e vetë Papës, në shumë vende. Përsa i përket veprimtarisë së saj, Kongregata për Doktrinën e Fesë vijon të punojë për t’i ndihmuar episkopatet për formulimin e direktivave koherente e efikase, në vendet ku kryejnë misionin. Ligji i ri është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ne e dimë mirë se impenjimi ynë për një dëshmi më ungjillore e më të pastërt, ka gjithnjë përpara një rrugë të gjatë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.