2010-07-17 15:19:50

15 vjetori i Masakrës së Srebrenicës dhe drejtësia e munguar


Gjatë kësaj jave, është shënuar përvjetori i një ngjarje të tmerrshme që Evropa e bota nuk mund mos ta kujtojnë e ne nuk duam ta anashkalojmë, edhe pse e përkujtojmë në ditët e fundit të 15 vjetorit të saj. E kemi fjalën për masakrën e Srebrenicës.
Pra, Bosnja, i gjithë Ballkani e mbarë Evropa të dielën e kaluar më 11 korrik, përkujtuan 15-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, në të cilën paramilitarët serbë të Bosnjës të udhëhequra nga gjenerali, Ratko Mlladiç, brenda pak ditësh, nga data 11 e deri më 18 korrik, ekzekutuan mizorisht rreth 8300 meshkuj myslimanë.
Mijëra vetë morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në qendrën përkujtimore Potocari, ku u varrosen edhe 775 mbetje mortore, të identifikuara së voni. Ishte ky varrimi më i madh kolektiv në 10 vitet e fundit. Përveç 774 boshnjakëve myslimanë u varros edhe katoliku kroat, Rudolf Hren, i cili po ashtu humbi jetën më 11 korrik të vitit 1995.
Në ceremoni përkujtimore morën pjesë mbi 50.000 njerëz, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë evropianë dhe rajonalë. Në varrim mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç.
Disa muaj më herët, Kuvendi i Serbisë miratoi rezolutën, me të cilën dënon masakrën e forcave serbe ndaj 8.000 meshkujve boshnjakë në Srebrenicë. Rezoluta shpreh ngushëllime dhe kërkon ndjesë për familjet e viktimave. Megjithatë, ajo nuk flet për genocid, por për masakër.
Gjatë ceremonisë së varrimit, me fjalimet e tyre, të pranishmëve foli edhe kryetari i Bashkisë së Srebrenicës, Osman Suliç, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë, Charles English, përfaqësuesi i lartë i BE në Bosnje, Valentin Inzko dhe zyrtarë të tjerë. Ndërkaq, në mesin e zyrtarëve të tjerë të lartë që ishin të pranishëm në Potocari, përmednim presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç dhe kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Masakra e vitit 1995 në zonën e mbrojtur nga OKB të Srebrenicës ishte krimi më i rëndë në Evropë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësi kryesor për të, ish-drejtuesi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç ende nuk është kapur. Mendohet se ai vazhdon të fshihet diku në Serbi.
Deri më tani, në qendrën përkujtimore Potoçari janë varrosur 3.749 viktima, ndërsa mbi 4.000 mbetje mortore ende mbeten në pritje të ekshumimit dhe të identifikimit. Gjatë atyre ditëve, mes 11 deri më 18 korrik të vitit 1995, trupat serbe që urdhëroheshin nga gjenerali Mlladiç, hynë në qytetin e Srebrenicës dhe masakruan popullsinë myslimane. Kur ushtarët e Republika Srpska (RS) hynë në qytet, më shumë se 40.000 banorë u strehuan në bazën e OKB në Potocari, që ndodhej në veri të Srebrenicës. Rreth 7.000 persona arritën të hynin në zonën e bazës, që drejtohej nga rreth 100 paqeruajtës holandezë, të cilët duhet të mbronin qytetin dhe, siç ishte deklaruar nga OKB-ja, zonën e mbrojtur. Të tjerët mbetën jashtë bazës. Pas ardhjes së ushtarëve serbë të Bosnjës, paqeruajtësit nuk ndërhynë fare, ndërkohë që Mlladiç i ndau burrat nga gratë e fëmijët dhe pastaj i internoi.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe sipas akuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë, burrat dhe të rinjtë myslimanë u ekzekutuan me gjakftohtësi, ndërsa trupat e tyre pastaj u varrosën nëpër varreza masive. Me mijëra civilë u arratisën në qendrat e banuara përreth Srebrenicës.
Njësitë e ushtrisë së RS filluan një operacion të madh “gjuetie” dhe kapën me mijëra boshnjakë të arratisur. Pas kësaj u radhitën grupe me nga 200-300 civilë dhe u ekzekutuan me breshëri kallashnikovësh. “Më 16 korrik, brenda vetëm katër orësh ekzekutuam 1200 civilë”, - do të deklaronte më vonë Drazen Erdemovic para TPI. Atë kohë, Abid Efendiq ishte 54-vjeçar dhe ishte strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë. Edhe ai, njësoj si shumë të tjerë, iu dorëzua njerëzve të Mlladiçit. Arriti të shpëtonte, sepse me fytyrën e tij plot rrudha dukej si të ishte 70-vjeçar. “Pashë me dhjetëra burra të therur në një arë gruri, pashë koka të prera, vajza të përdhunuara nga dhjetëra ushtarë...”, - dëshmon ai. “Na thërrisnin: ‘Myslimanë, ditë të zeza kanë ardhur për ju! Nuk është më Titoja që t’ju mbrojë!’” - shton ai.
Urdhri për ekzekutimin e meshkujve myslimanë nënkuptonte përfshirjen e të gjithë meshkujve mbi 12-vjeçarë. Presidenti i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe gjenerali Mlladiç, pas masakrës së Srebrenicës arritën të pushtonin mbi 60 për qind të Bosnjës.
Por ishte pikërisht kjo masakër që e bindi presidentin amerikan, Bill Klinton të ndërhynte në Bosnje, pasi Evropa për tri vjet vetëm po vëzhgonte, e shmangur dhe e ndarë, një tragjedi që po i ndodhte në prag të shtëpisë.
Pas disa muajsh, Washingtoni arriti në tavolinën e Dejtonit t’i ulte boshnjakët, kroatët dhe serbët, megjithëse rezultati i këtij takimi u kufizua vetëm me krijimin e një ndarjeje etnike, gjegjësisht me krijimin e një shteti të ndarë në dy etni, në Republika Srpska - që sot përfshin edhe Srebrenicën - dhe në Federatën Kroato-Myslimane.
Tragjedi e Srebrenicës rëndoi gjatë në ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar. Për shkak të Srebrenicës, qeveria holandeze e Vim Kok vendosi të dorëhiqej në prill të vitit 2002, pasi Instituti për Dokumentimin e Luftës i cilësoi përgjegjës - së bashku me kaskat e kaltra të OKB-së, ngase nuk arritën ta ndalnin masakrën.
Më vonë, Komanda holandeze deklaroi se kishte kërkuar ndërhyrjen e aeroplanëve të NATO-s për mbrojtjen e qytetit. Në tetor të vitit 1999, edhe Sekretari i atëhershëm i OKB-së, Kofi Annan e pranoi përgjegjësinë. “Tragjedia e Srebrenicës do ta përndjekë përgjithmonë historinë tonë”, - theksoi ai. Srebrenica nuk mund të harrohet e duhet drejtësi e plotë për masakrën. Pa drejtësi, vështirë të mund të ketë stabilitet e paqe në Ballkan. Kush i dënon bakëqijtë, i ndihmon të tjerët të jenë më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.