2010-07-16 17:50:12

Kisha shpreh kënaqësinë për modifikimin e “Normave mbi krimet më të rënda”.


(16.07.2010 RV)Komente shumë pozitive vijnë nga Konferencat ipeshkvore të mbarë botës, pas publikimit të normave të reja si dhe disa ndryshimeve të normave ekzistuese, të cilat, me fjalë latine, njihen si “de gravioribus delictis” ”norma mbi krimet më rënda”. Rregullat e reja i krijojnë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, mundësinë të ndërhyjë në raste krimesh kundër Sakramentit të Eukaristisë, të Rrëfimit dhe të shpërdorimeve seksuale të të miturve nga ana e klerit.

Ipeshkvijtë e SHBA e shikojnë si hap para në luftën kundër këtij krimi të tmerrshëm, e si masë për të mbrojtur fëmijët, posaçërisht kur i besohen Kishës.

Sinjal i fortë e i qartë: komentojnë ipeshkvijtë gjermanë, të cilët ndalen posaçërisht tek procedurat më të shpejta e tek dënimi i krimit të pedopornografisë. Shprehin kënaqësinë edhe lidhur me sinjalin e qartë e të fortë të Kongregatës për një informacion, pa rezerva, e për dënimin, pa mëdyshje, të krimeve të tilla. Normat e reja, pohojnë, janë dëshmi e njëzëshme në favor të viktimave.

Kënaqësi edhe nga Kisha zvicerane, që i shikon normat e reja si mbështetje në përpjekjet për të luftuar vendosmërisht e pa asnjë lëshim, të gjitha format e shpërdorimeve seksuale, e jo vetëm ato mbi të miturit. Në Kishë nuk ka e nuk duhet të ketë kurrë vend për asnjë lloj shpërdorimi, pohohet. Konferenca ipeshkvnore zvicerane vëren se edhe ajo i ka bërë gjithnjë më të ashpra direktivat në këto drejtime.

Koment shumë pozitiv bën edhe kryeipeshkvi i Uashingtonit, kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Doktrinën e Fesë, imzot Donald Vuerl. Në një notë, prelati ndalet posaçërisht tek shugurimi i grave, që shikohet si krim i rëndë. Që në zanafillë, pohon, Kisha ka mësuar gjithnjë se meshtarë mund të shugurohen vetëm burrat, gjë që nuk mund të ndryshojë, pavarësisht nga ndryshimi i kohëve. Por kjo nuk e dobëson aspak rolin tejet të rëndësishëm që kanë luajtur e vijojnë të luajnë gratë në jetën e Kishës, me bujarinë e fisnikërinë e tyre të pazëvendësueshme. Sot gratë kryejnë shërbimin e tyre në të gjitha nivelet e veprimtarisë kishtare, shpesh edhe në detyra me përgjegjësi tejet të lartë, duke gëzuar gjithnjë mirënjohjen e madhe të Kishës. Veprimtaria e tyre e pjesëmarrja e tyre, përfundon kryeipeshkvi i Uashingtonit, i jep Kishës katolike pushtet e forcë, për të mirën e për shenjtërimin e të gjithë njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.