2010-07-16 18:03:36

Kardinali Banjasko në ‘L’Osservatore Romano”: "Katolikët duhet të jenë dëshmitarë të besueshëm, në një shoqëri të mbërthyer nga kriza”.


(16.07.2010 RV)Kardinali Anxhelo Banjasko, kryeipeshkëv i Gjenovës e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, përballon disa tema të rëndësishme, në një intervistë të gjatë, dhënë gazetës vatikanase “L’ Osservatore Romano”. Duke ripohuar me forcë nevojën e pastrimit të Kishës, në gjurmët e Benediktit XVI, kardinali nënvizon se kjo kohë, në të cilën Kisha po pëson sulme, nganjëherë edhe të ashpra, kërkon kthimin me përvujtëri tek burimet e Ungjillit. Në një stinë, kur të gjithë kërkojnë të mbrojnë vetëm vetveten, vetëm interesat e tyre, Papa na fton të mos rrijmë duarkryq, duke shikuar mëkatet e të tjerëve, por të bëjmë ç’është e mundur që e vërteta të dalë në shesh, përmes njohjes së fakteve, pa vonesa e pa ngurrime.
Një problem tjetër, i çekur nga kardinali Banjasko, është ai i vendimit të Gjykatës evropiane të Strasburgut për të drejtat e njeriut, që ndalon ekspozimin e Kryqit në shkollat publike italiane.
Të pohosh, vëren Hirësia e Tij, se Kryqi dëmton laicitetin e shtetit, do të thotë të harrosh se para shtetit, janë njerëzit, se shteti është i tyre. Të përpiqesh për të zhdukur karakteristikat tradicionale kulturore e fetare të një vendi, do të thotë të heqësh dorë nga pasuria e kulturave, për mbrojtjen e të cilave flitet aq shumë e aq shpesh. Pa liri fetare, shton prelati i lartë, as që mund të mendohen liritë e tjera njerëzore. Atje ku vihet në rrezik liria e fesë, është në rrezik edhe vetë demokracia. Benedikti XVI na kujton vazhdimisht se çdo brezni duhet të mësojë sërisht, duke nisur nga e para, ç’do të thotë liri. Ata që e patën lirinë e pastaj e humbën, e dinë mirë ç’kuptim ka kjo fjalë. Të tjerë, që lindën në kohë të ashtuquajtura të lira, ose vërtetë të tilla, besojnë se liria nuk mund të mohohet, nuk mund të shkelet kurrë me këmbë, nuk mund të humbasë. Por historia tregon se ajo vijon të shkelet, të mohohet, të mungojë e të zëvendësohet me diktatura nga më të egrat e më kriminalet. Prandaj duhet përsëritur pambarimisht mësimi i historisë mbi lirinë e mbi mbrojtjen e saj. E liria nuk mund të mbrohet, pa një ndjenjë të lartë përgjegjësie, vëren kardinali. Kjo kërkon edhe formimin e breznisë së re të politikanëve katolikë.
Në kushtet e reja të jetës, vijon kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, vërehet se dëshira për të mbrojtur pasurinë publike, duke e konsideruar si pasuri vetjake, ia lëshon gjithnjë më shumë vendin interesit personal, duke harruar se pasuria publike u përket të gjithëve e se prej ruajtjes dhe mbrojtjes së kësaj vlere tejet të lartë, varet fati i vetë kombeve. Fat të cilit, në shoqërinë e sotme, i duhet të ruhet shumë nga gracka të rrezikshme, ndërmjet të cilave, gracka dramatike e krizës ekonomike, që po kalon mbarë bota e që lidhet pikërisht me keqtrajtimin e pasurisë së përbashkët.
Sipas kardinalit, rruga që duhet ndjekur, është ajo e barazisë ekonomike. Kush ka përgjegjësi politike, duhet t’i përballojë konkretisht situatat, duke e vendosur barazinë ekonomike në qendër të kornizës së lirisë politike e të bashkëjetesës shoqërore. Vetëm kështu, tri vlerat në lojë: liria politike, drejtësia ekonomike e bashkëjetesa shoqërore, mbrohen të trija së bashku. Hirësia e Tij vlerëson lart përpjekjet e lidërve, që u kujtojnë vazhdimisht njerëzve të tyre vlerën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit të ngushtë, pavarësisht nga ndryshimet, duke i nxitur ta ndihmojnë tjetrin, për të ndihmuar, kështu, vetveten.







All the contents on this site are copyrighted ©.