2010-07-16 18:06:08

Argjentina përçahet edhe më shumë, pas miratimit të bashkimeve homoseksuale.


(16.07.2010 RV)Votimi i së mërkurës së kaluar, përmes të cilit senati i Argjentinës miratoi bashkimet homoseksuale, duke i konsideruar të mbrojtura me ligj e krejtësisht të barabarta, me të drejtat e detyrat që kanë bashkimet e tjera martesore, bëri që tensioni politik të arrijë një kulm shqetësues.
Kështu Argjentina u bë vendi i parë i Amerikës Jugore, që i hap rrugën bashkimeve homoseksuale. E pas një beteje të gjatë ligjore mbi karakterin antikushtetues të ligjit të ri, sot ndjehet e prekur në ndjenjat më të fisme kombëtare. Ky ligj, përveçse godet rëndë lidhjet ndërmjet prindërve e fëmijëve, u mohon këtyre të fundit të drejtën e identitetit, atë që është tejet e shtrenjtë për njeriun, të drejtën për të pasur një nënë e një baba. Kështu senati i njohu mbrojtjen ligjore një bashkimi, që nuk varet nga vullneti i njeriut, por nga ai i Zotit. Ky vendim, formalisht demokratik, mohon të drejtat natyrore, që nuk kanë të bëjnë fare me pakica e as me shumica votash. Kështu nuk zgjidhet asnjë problem. Përkundrazi, krijohen probleme të reja, ndërmjet të cilave, shkelja e të drejtave të fëmijëve e dyshimet me karakter kushtetues, pa llogaritur dëmin e madhe që i shkaktohet së mirës së përbashkët, duke pasur parsysh se sa më e fortë të jetë familja, aq më e fortë është vetë shoqëria. E kjo nuk mund të mohohet nga shumica kalimtare, si ajo që në Argjentinë, e miratoi ligjin me diferencë vetëm prej 6 votash, në një kohë kur disa nga anëtarët e senatit, që ishin shprehur kundër martesave gei, mungonin për arsye shtetërore në këtë votim kaq të rëndësishëm për fatet e së ardhmes së një vendi, ku njerëzit i afrohen kutisë së votimit duke dëgjuar zërin e partisë, e jo atë të ndërgjegjes. Gjë që nuk mund të mos i hapë rrugën shtetit totalitar.







All the contents on this site are copyrighted ©.