2010-07-15 16:46:02

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’do të thotë “lumni” e kush është “i Lum”?


Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni i 58-të).Të dashur dëgjues, jo më larg se nesër, Kisha Katolike feston Zojën e Bekuar të Karmelit. Shën Maria është quajtur gjithnjë e lume e shpesh e dëgjojmë këtë fjalë në Kishë. Ajo ka të bëjë me mënyrën e jetesës së personave që janë dalluar, pikërisht sepse janë të lum. Por, ç’do të thotë “lumni” e kush është “i Lum”?


“Kush nuk e ka lexuar kurrë Fjalën e Jezusit në Mal” pohonte shkrimtari katolik francez Fransua Moriak “nuk është në gjendje të dijë se ç’është krishterimi”. Ai fjalim madhështor i Krishtit, i pari i pesë fjalimeve, që yjëzojnë Ungjillin e Shën Mateut, hapet me tetë deklarata solemne e paradoksale të Jezusit, me të cilat shpallen “të lumë” të humburit e të palumturit e historisë e të kësaj bote: “Lum skamnorët në shpirt…Lum ata që qajnë…Lum ata që janë të butë…Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi…Lum të mëshirshmit…Lum ata që janë të pastër në zemër…Lum pajtuesit…Lum ata që salvohen sepse kryejnë çka Hyji kërkon…” (Mt 5,3-10). Lumnia e nëntë (“Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë…për shkak timin…”) është shtuar nga ungjilltari për t’i dhënë edhe më tepër kuptim lumnisë së tetë.
“Lumnia” shprehet në greqisht me fjalën “makŕrios”, që do të thotë “i lum, i lumtur”. Që këtej vjen termi “makarizëm” (pra “lumni”), i cili tregon një gjini letrare, atë, në të cilën shpallet pjesëmarrës në gëzimin e Hyjit, ai që ka zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Jo më kot, kjo gjini përdorej që në Besëlidhjen e Vjetër, ku merrte tone urtie, morale dhe ekzistenciale. Për shembull, Psalteri fillon kështu: “Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve…” (1,1). E brenda tij ndeshim me fraza të këtij tipi: “Lum ai njeri që e druan Zotin, që kënaqet në urdhërimet e tija” (112,1).
“Lumnia” shkon paralelisht me “bekimin”, që është formulë liturgjike e meshtarake. Krishti i përdor të dyja, por e para, pra “lumnia”, i pëlqen më shumë, pasi ka karakter profetik. Gjithsesi, Ai flet ashpër e duke provokuar: arrihet gëzimi i vërtetë jo duke fituar, duke zotëruar pasuri ose duke bërë ndonjë vepër të mirë, por duke e dhuruar plotësisht vetveten. Janë domethënëse për këtë dy lumnitë, ku përfshihen “shpirti” dhe “zemra” (ajo e të varfërve dhe e të pastërve): në gjuhën biblike këto fjalë nuk kanë kuptimin e intimitetit apo të përshpirtërisë së vagullt, por janë një zgjedhje me rrënjë në thellësitë e ndërgjegjes, që degëzohet më pas në krejt qenien e veprimtarinë e besimtarit.
Ajo që kërkon Jezusi nga dishepujt e vet, pra nga të krishterët në përgjithësi e jo vetëm nga apostujt apo nga të shuguruarit, është përkushtimi i plotë, i vazhdueshëm, absolut e jo respektimi i thjeshtë i disa normave fetare ose bamirëse. Interesante është të shohim se si Kisha e origjinës i ka përdorur lumnitë sipas konteksteve shoqërore ku jetonte. Me të vërtetë, në Ungjillin e Shën Lukës, lumnitë nga tetë bëhen katër (6,20-26) e shoqërohen me “mallkime” (“Vaj për ju o pasanikë…vaj për ju që tani jeni të ngopur…vaj për ju që tani qesheni…vaj për ju kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë”).
Përveç kësaj, te shën Luka, lumnitë bëhen më konkrete e të drejtpërdrejta: flitet drejtpërdrejt për “të varfërit”, pa përmendur edhe përcaktimin “në shpirt”. Shën Luka u drejtohej personave të bashkësisë së vet, të cilët ishin me nivel më të ulët shoqëror. Dëshmohet kështu se Fjala e Krishtit është ruajtur jo si një gur i çmuar e i ftohtë, por si një farë, që duhet të zërë e t’i përshtatet terrenit të ndryshëm të historisë e të jetës, duke shpallur gëzim e shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.