2010-07-15 13:51:43

Vatikani e Kina marrëveshje për emërim ipeshkvijsh, dialogu vazhdon


Selia e Shenjtë dhe Qeveria Kineze kanë arritur një marrëveshje të re lidhur me shugurimin e një ipeshkvi katolik. Lajmin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit. Emërimi i prelatit miratuar nga Papa Benedikti XVI e nga autoritetet kineze si ipeshkëv i ri i Zejiangut është imzot Anton Xu Jiwei, i cili që nga viti 1999 ka udhëheq dioqezën e Linhai si administrator dioqezan.
Më parë ky prelat ka qenë për 5 vjet në burg e ka punuar në kampe të përqendrimit për shkak se ishte anëtar i Kishës Katolike “klandestine”, do të thotë i asaj Kishe që njihte autoritetin e Papës e jo atë të Shoqatës Patriotike që në Kinë ka formuar një Kishë kombëtare të shkëputur nga Roma.
Mirëpo, para tri vjetësh Papa përmes Letrës së tij dërguar kinezëve, kërkoi pajtimin ndërmjet dy episkopateve e sidomos mes besimtarësh, duke pohuar se tashmë pjesa më e madhe e ipeshkvijve të Shoqatës Patriotike Kineze pati kërkuar njohjen e tyre. Shugurimi ipeshkvnor i imzot Xu është kremtuar të shtunën e kaluar, më 10 korrik.







All the contents on this site are copyrighted ©.