2010-07-15 15:32:43

Letra e Papës dërguar imzot Twal: katolikët e Tokës së Shenjtë të jenë shenjë e ndritshme bashkimi në dashuri.


Faqja e internetit të Patriarkanës Latine të Jerusalemit ka botuar Letrën që Papa i dërgoi më 7 qershorin e kaluar patrikut Fouad Twal me rastin e udhëtimit të tij apostolik në Republikën e Qipros, udhëtim që u mbajt nga data 4 deri më 6 qershor. Benedikti XVI falënderon imzot Twal “për pritjen e përzemërt” që i rezervoi gjatë kësaj vizite.
“Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të konstatoja personalisht - shkruan Papa - se si shumë katolikë qipriotë të traditës së lashtë të krishterë latine kanë qëndruar besnik ndaj thesarit të tyre shpirtëror, falë kujdesit tuja baritor. Ju lus t’u transmetoni atyre e ti siguroni për pjesëmarrjen time atërore në lutje si dhe urimet e mia më të mira shenjtërimi e përparimi.
Në të njëjtën kohë - vijon Ati i Shenjtë Racinger - për mua ishte kënaqësi duke parë bashkësinë katolike se si vazhdon të pasurohet me besimtarë të vendit të ritit latin e kështu edhe me emigrantë të ardhur prej kontinenteve tjera, posaçërisht nga Evropa, Afrika e Azia. Lutja ime drejtuar Zotit - përfundon Benedikti XVI - është që të gjithë katolikët e Tokës së Shenjtë, me gjuhët e tyre, me doket e tyre dhe traditat e tyre përkatëse, të impenjohen në bashkëpunimin e gëzueshëm si vëllezër e motra, e të jenë shenjë dalluese të një Kishe të vetme, të shenjtë, katolike e apostolike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.