2010-07-15 17:30:09

Argjentinë: parlamenti miraton martesat homoseksuale pavarësisht kundërshtimeve të njerëzve.


Pas 15 orësh debat televiziv transmetuar drejtëpërsëdrejti, senati argjentinas legalizoi dje martesat ndërmjet homoseksualëve me 33 vota pro, 27 kundër dhe 3 abstenime, duke iu njohur këtyre lloj lidhjesh të njëjtat të drejta që kanë edhe martesat heteroseksuale.
Është e qartë se pavarësisht se ligji u miratua, parlamenti rrezikoi shumë sepse askush nuk ia vuri veshin opinionit publik të shumicës dërrmuese të vendit, përfshi këtu edhe Kishat e krishtera të cilat para dy ditësh zbritën në të gjitha sheshet e vendit duke kërkuar që projektligji të mos miratohej. Tani Argjentina i bashkohet shteteve të tjera të kontinentit amerikan ku ky ligj është në fuqi si Kanadaja, SHBA dhe Distrikti federal i Meksikës.
Disa mendojnë se miratimi i këtij ligji do të favorizojë ligje të ngjashme që po shqyrtohen në vende si Kili dhe Uruguaj. Sidoqoftë, është e qartë se me miratimin e këtij ligji, në Argjentinë, ka nisur tashmë një betejë e gjatë legale dhe është hapur një temë që do të ndikojë fuqishëm në politikën latino-amerikane duke i vënë katolikët, e jo vetëm ata, përballë disa sfidave të reja.
Ipeshkvijtë argjentinas, para disa ditësh, kujtuan se një ligj apo një konvencion kulturor, siç është ky i martesave homoseksuale, edhe në qoftë i legalizuar, nuk e ndryshon të vërtetën biologjike dhe natyrore, sipas së cilës, martesa e vërtetë është vetëm ajo ndërmjet një burri dhe një gruaje. Nga ana tjetër hapen çështje të tjera, jo më pak delikate, siç është, për shembull, çështja e birësimeve.
“Nuk jemi përballë një çështjeje intim e as një preference fetare, por përballë një realiteti që e ka rrënjën tek vetë origjina e njeriut, që është krijuar mashkull e femër. Të pohosh heteroseksualitetin si kusht themelor për martesën nuk do të thotë të diskriminosh por të vlerësosh një fakt objektiv që përbën kusht paraprak. E kundërta do të ishte ta injorosh, domethënë të injorosh thelbin e tij.” - vunë në dukje ipeshkvijtë argjentinas.
Kryeipeshkvi i Buenos Ajresit, kard. Horge Mario Bergoljo, tha se është në lojë identiteti dhe mbijetesa e familjes: pra, baba, nënë e fëmijë. “Është në lojë jeta e shumë fëmijëve që do të diskriminohen që në fillim të jetës së tyre, e të cilëve do t’iu hiqet e drejta për t’u rritur me një baba e një nënë, e drejtë që ua ka sanksionuar vetë Zoti. Është ky një lloj refuzimi kryekëput i ligjit të Zotit, që është gdhendur në zemrat tona. Nuk duhet të jemi naivë. Kjo nuk është vetëm një luftë politike, por një përpjekje për të shkatërruar planin hyjnor të Zotit:” - përfundon deklarata e kard. Bergoljos.







All the contents on this site are copyrighted ©.