2010-07-14 16:35:38

“Thë prists” do të këndojnë në Hajd Park para Papës.


(14.07.2010 RV)Kompleksi ‘Thë prists’, i përbërë nga tre priftërinj irlandezë, të cilët falë talentit të tyre si këngëtarë e të shtëpisë së prodhimeve muzikore Sony, janë tashmë të njohur në mbarë botën, do të marrë pjesë në lutjet mbrëmësore, që do t’i kryesojë Papa më 18 shtator, në Hajd Park. Për të përjavshmen katolike “Tablet” është një nga veprimtaritë më interesante të vizitës së Papës në Angli e në Skoci. Natyrisht, pas lumnimit të kardinalit Njumën dhe veprimtarive të tjera fetare të Atit të Shenjtë.
Në Hajd Park priten më se 80 mijë shtegtarë, që do të ndjekin lutjet mbrëmësore, në të cilat Papa do të jetë i pranishëm për një orë e gjysëm, deri rreth orës 20.00.
Pas koncertit të priftërinjve, sipas njoftimit të Shërbimit për informim fetar, do të kremtohet një procesion, me pjesëmarrjen e 3000 besimtarëve, përfaqësues të dioqezave të Anglisë e të Uellsit. Secili grup do të ngjitet në tribunë, ku do të përshëndetet nga ipeshkvi i vet ose nga mëkëmbësi i përgjithshëm. Para se të arrijë Papa, do të shfaqet një film e do të ndiqen dëshmi kushtuar veprimtarive bamirëse të Kishës dhe punës së organizatave fetare në këtë drejtim. Benedikti XVI, sapo të arrijë do të përshëndetet nga kryeipeshkvi i Sathok, imzot Piter Smith e më pas do të nisë kremtimi i liturgjisë. Do të shpallet Ungjilli i lumturive. Papa do të ndezë një qiri të ngjashëm me atë të Pashkëve, në flakën e të cilit besimtarët e famullive do të ndezin qirinjtë e tyre, për të filluar më pas, me dritëzat e ndezura në dorë, procesionin me të Shenjtnueshmin Sakrament. Don Endrju Hejdën, koordinator i veprimtarisë, shpreson se Papa do të kujtojë edhe Tajbën, vend ekzekutimesh publike, ku shumë katolikë pësuan martrizimin, duke pasur mundësinë të flisnin para vdekjes. Prej këndej, tradita e Hajd Parkut u krijon të gjithëve mundësinë të flasin në publik.







All the contents on this site are copyrighted ©.