2010-07-13 15:30:22

Benedikti XVI: liria fetare është rruga e paqës kundër fondamentalizmave.


“Lira fetare është rruga e paqës”. Kjo është tema e zgjedhur nga Benedikti XVI për kremtimin e Ditës se 44-të Botërore për Paqën 2011 e cila, nga 1968 kremtohet ditën e parë të çdo viti. “Nëpër botë ka forma të ndryshme kufizimi ose mohimi të lirisë fetare, të diskriminimit ose të mënjanimit, të bazuara tek feja, madje këto shkojnë deri tek persekutimi dhe dhuna kundër pakicave.” – thuhet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit që komenton temën e zgjedhur nga Papa Racinger.
Nga këndëvështrimi i krishterë, vijon nota e Selisë së Shenjtë, “duke qenë se liria fetare është e rrënjosur tek vetë dinjiteti i njeriut dhe është e orientuar nga kërkimi i së vërtetës së pandryshueshme, paraqitet si 'liria e të gjitha lirive'. Pra, liria fetare është krejtësisht e tillë atëherë kur tregohet koherente me kërkimin e së vërtetës dhe të së vërtetës mbi njeriun. Ky këndvështrim na tregon edhe kriterin bazë për dallimin e fesë dhe të shfaqjeve të saj.”
Sot ka shumë zona nëpër botë ku vazhdojnë të ekzistojnë forma të ndryshme të kufizimit të lirisë fetare, dhe kjo ndodh si atje ku bashkësitë fetare janë pakicë, ashtu edhe atje ku këto nuk janë pakicë, e megjithatë i nënshtrohen disa formave të sofistikuara të diskriminimit dhe të mënjanimit nga shoqëria, në fushën kulturore por edhe në jetën publike, civile dhe politike.”
“Është e pakonceptueshme që besimtarët duhet të ndrydhin brenda vetes një pjesë të tyre, besimin fetar, për të qenë kështu qytetarë aktiv. Nuk duhet të jetë aspak e nevojshme të heqim dorë nga besimi në Zotin për të gëzuar të drejtat që na përkasin.” - shpjegon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit e cila citon Benediktin XVI.
“Njeriu nuk mund të copëtohet, nuk mund të ndahet nga ajo që beson sepse ajo tek e cila beson ndikon në jetën dhe në personin e tij.” – theksohet në notë.
Komunikata, e cila shtjellon temën e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI, na kujton se liria fetare “e përjashton fondamentalizmin, manipulimin dhe instrumentalizimin e së vërtetës dhe të vërtetës mbi njeriun.” Po ashtu, “gjithçka i kundërvihet dinjitetit të njeriut i kundërvihet edhe kërkimit të së vërtetës dhe rrjedhimisht, nuk mund të quhet liri fetare.” - vazhdon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Përkundrazi, Ati i Shenjtë Racinger na propozon “një ide më të thellë të lirisë fetare që i zgjeron horizontet e humanizmit dhe të lirisë së njeriut dhe bën që kjo të vendosë lidhje të thella me vetveten, me tjetrin dhe me mbarë botën.” – përfundon nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Papa Benedikti XVI, në fjalimin e mbajtur pranë selisë së OKB-së në Nju Jork, më 18 prill 2008, pati kërkuar që të drejtat e njeriut të përfshijnë edhe të drejtën e lirisë fetare, kuptuar kjo si shprehje individuale dhe kolektive e shoqërisë, si një e drejtë e cila pasqyron unitetin e individit, ndonëse e ka të qartë dallimin ndërmjet shtetasit dhe besimtarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.