2010-07-12 18:20:33

Shqipëri: Berisha PS t'i drejtohet Strasburgut


Opozita le ta ngrejë të ri Komisionin Parlamentar Hetimor për Zgjedhjet, le të ketë shumicën, por po dëshiroi të lexojë votat, le t'i drejtohet Strasburgut. Kështu vlerësoi Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha sot në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë pasi iu referua Rezolutës për Integrimin e Shqipërisë që u votua pak ditë më parë nga Parlamenti Evropian, garantoi se do të zbatojë rekomandimet që janë në të. "Rezoluta ishte e qartë dhe angazhohem për zbatimin e saj".
Berisha theksoi se është gati të ngrejë komision hetimor të ri për hetimin e zgjedhjeve të qershorit te vitit të kaluar, ku propozon që opozita të ketë shumicën në këtë komision. Por, sa i përket votës, brenda në kutitë e votimit, Berisha përsërit se kjo nuk i takon ta caktojë ai si kryeministër por Gjykatat.
"Komisionin po të duan, le ta ngrenë prapë, le ta kenë shumicën. Unë nuk kam kundërshtim të lexohet dhe vota, por kjo në bazë të ligjit të Gjykatës Kushtetuese.PS le t'i drejtohet Gjykatës, në rast tjetër edhe Gjykatës së Strasburgut". Sipas Berishës, kjo çështje duhet zgjidhur shpejt dhe mirë, pasi po afrohen zgjedhjet lokale dhe shoqëria shqiptare, sipas tij duhet të mbyllë çështjen e 28 qershorit dhe më pas tu drejtohet sërish kutive të votimit, këtë radhë për zgjedhjet lokale.







All the contents on this site are copyrighted ©.