2010-07-12 17:09:35

Kulti i vërtetë i Zotit është të mos bësh keq, të bësh vetëm vepra të mira: Fjala e Hyjit e liturgjisë së sotme.


(12.07.2010 RV)Kulti i vërtetë i Zotit është të mos bësh keq, të bësh vetëm vepra të mira: Kisha sot dëgjoi pikërisht këtë Fjalë, që ia propozoi Liturgjia e ditës. Është thirrje, të cilën Papa vijon ta përsërisë; është ftesë, për të mos u lëkundur kurrë e për të mos krijuar plasa në jetën e fesë.

Në leximin e parë të Liturgjisë së some, Izaia Profet i dënon ashpër të gjithë ata, që vënë në plan të parë anën e jashtme të fesë, që besojnë sa për sy e faqe e, duke u bërë zë i Zotit, i bërtet popullit të vet: “E pse më ofroni fljet tuaja të panumërta? Mjaft më me therore të kota.. nuk mund ta duroj më krim e solemnitet… edhe në se i shtoni lutjet, unë nuk mund t’ju dëgjoj. Kur shtrini duart tuaja drejt meje, i largoj sytë prej jush e nuk mund t’jua vë veshin: duart tuaja pikojnë gjak! Prandaj, pushoni së bëri keq. Mësohuni të bëni vepra të mira. Kërkojeni drejtësinë, ndihmoni të shtypurit!
E Papa na kujton se shpesh herë feja jonë është e përlyer me lakminë e pangopur të tregtarëve të tempullit, deri në atë masë, sa ta zemërojë vetë Zotin e ta nxisë të kapë kamzhikun:
Gjithë kjo duhet të na bëjë edhe ne, të krishterëve, të mendojmë: a është feja jonë aq e pastër, sa duke u nisur prej saj, edhe ‘paganët’, njerëzit që sot janë në kërkim të Zotit e bëjnë një mori pyetjesh, të shikojnë në të dritën e të vetmit Hyj e të kthehen edhe ata në adhuronjës të Tij? A jemi të vetëdijshëm se etja për fitim e idhujtaria, prek edhe zemrën tonë e mënyrën tonë të jetesës? Thua nuk lejojmë, në mënyra të ndryshme, të na depërtojnë idhujt në botën e fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lemë Zotin të na pastrojë vazhdimisht, duke na ndihmuar ta flakim tutje nga vetja e nga Kisha gjithçka është në kundërshtim me të?” (Homelia, 16 mars 2008).
Duke pastruar tempullin, Jezusi kumton se ka ardhur çasti, në të cilin adhuruesit e vërtetë, do ta adhurojnë Atin në shpirt e vërtetësi. Ka marrë fund koha kur njerëzit flijonin kafshë para Hyjit. Vendin e flijeve e të mblatave ushqimore, e zë korpi i Krishtit, ai Vetë. Kryqi i Krishtit është flijimi i vërtetë:
“Vetëm dashuria deri në fund të fundit, vetëm dashuria që i dhurohet plotësisht Hyjit për njerëzit, është kulti i vërtetë, është flijimi i vërtetë! Të adhurosh në shpirt e në vërtetësi, do të thotë të adhurosh në bashkim me Atë, që është e vërteta; të adhurosh në bashkim me Korpin e tij, me të cilin na bën një Shpirti Shenjt”(Homelia, 16 mars 2008).
E reja e vërtetë e fesë nuk është ajo që bëjmë ne, por ajo që bëri vetë Zoti:
“Krishtërimi nuk është moralizëm, nuk jemi ne, që duhet të bëjmë çka pret Zoti nga bota. Mbi të gjitha, duhet të hyjmë në këtë mister ontologjik: Zoti dhuron vetveten, qenien e tij; dashuria e tij i paraprin veprimit tonë e në Korpin e tij, në përpjekjen për të qenë në Të, për t’u bërë një me Të, për t’u fisnikëruar nga gjaku i tij, mund të veprojmë edhe ne, ashtu si Zoti. Por etika është pasojë e qenies.. duhet vetëm të veprojmë sipas identitetit tonë të ri (Fjalim, 13 shkurt 2010).
Ungjilli nënvizon se Jezusi nuk erdhi të sjellë paqen mbi tokë, por shpatën: shpatën e Fjalës së vërtetë:
“Pa vërtetësi, dashuria shket në sentimentalizëm. Dashuria bëhet guaskë e zbrazët, për t’u mbushur, pastaj, padrejtësisht. Është rreziku fatal i dashurisë pa vërtetësi. Ajo bie pre e emocioneve, e opinioneve subjektive, shpërdorohet e shtrembërohet deri në atë masë, sa të marrë kuptim fare të kundërt”.
Kështu njerëzit e bëjnë tempullin shpellë hajdutësh. Por ashtu si gjithnjë, duke nisur nga rënia e Adamit, dështimi i njerëzve shndërrohet në rast impenjimi edhe më të madh nga ana e Hyjit për t’i shpëtuar. Kështu Jezusi, i akuzuar se dëshiron ta shembë tempullin, po në atë vend, shëron të verbër e të çalë:
“Ai nuk vjen si shkatrrimtar; nuk vjen me shpatën e revolucionarit. Vjen me dhuratën e shërimit. U kushtohet atyre që, për shkak të gjymtimeve, lodhen nga jeta e flaken jashtë radhëve të shoqërisë. Jezusi u tregon se Hyji i do, se pushteti i tij është pushtet i dashurisë. E na tregon edhe ne se cili është kulti i drejtë i Hyjit: është shërimi, shërbimi, mirësia që e rikthen njeriun në jetë”.
Ndërmjet atyre që e brohorasin Jezusin si birin e Davidit, ka edhe fëmijë. E Jezusi u pati thënë dishepujve të vet se për të hyrë në mbretërinë e Hyjit, duhet të bëheshin rishtas si fëmijët . Ai vetë, që rrok mbarë botën, u bë i vogël për të na shpëtuar, për të na dhënë dorën, për të na prirë në rrugën që çon drejt Hyjit.
E në se duam ta njohim Hyjin, duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia që na verbon, që na shtyn ta shohim Zotin, si të ishte konkurrenti ynë. Për të takuar Zotin, duhet të bëhemi të aftë të shikojmë jo me sytë e ballit, por me sytë e zemrës. Duhet të mësojmë për ta parë gjithçka me zemër rinore, që s’ njeh paragjykime e nuk verbohet nga interesat. Kështu, në të vegjlit, që e pranojnë Zotin me zemër të lirë e të hapur, Kisha shikon figurën e besimtarëve të të gjitha kohërave, shikon figurën e vet, na mëson Papa, duke u drejtuar të gjithë besimtarëve ftesën: “Të shkojmë, së bashku, drejt takimit me Jezusin. Ta lemë të na prijë drejt Hyjit, për të mësuar nga Hyji vetë si të bëhemi njerëz të vërtetë. Me Të e falënderojmë Hyjin, sepse me Jezusin, birin e Davidit, na dhuroi një hapësirë paqeje e pajtimi, që rrok mbarë botën. Ta lusim të bëhemi edhe ne, me Të e duke u nisur nga Ai, kasnecë të paqes së tij, që në shpirtin tonë e kudo rreth nesh, të rritet Mbretëria e Tij”







All the contents on this site are copyrighted ©.