2010-07-11 14:08:39

Papa: Logjika e Krishtit është ajo dashurisë dhe e shërbimit


“Logjika e Krishtit është logjika e vet dashurisë: Hyji është dashuri, e ta nderosh përmes kultit do të thotë t’u shërbesh vëllezërve me dashuri të sinqertë e bujari”. Papa Benedikti XVI e komentoi kështu shëmbëlltyrën e njohur ungjillore të “Samaritanit të mirë”, të cilën na propozon Ungjilli i kësaj së diele në liturgjinë e fjalës, “për të na treguar se na takon ne të bëhemi e të jemi ‘ i afërmi’ i kujtdo që ka nevojë për ndihmë”. Kjo shëmbëlltyrë ungjillore është një tekst themelor nga i cili del në pah në mënyrë të qartë se “programi i të krishterit, marr nga mësimet e Jezusit, është zemra që sheh dhe e di se ku ekziston nevoja për dashuri, e si pasojë vepron në mënyrë të përshtatshme”.
“Samaritani - u kujtoi Papa besimtarëve të mbledhur në oborrin e rezidencës verore në Kastelgandolfo për lutjen e Engjëllit të Tënzot - mori mbi vete përkujdesin për një të panjohur që ishte në ngushticë, të cilin cubat e kishin lënë rrugës gati duke vdekur; derisa një prift e një levit duke kaluar po asaj rruge, e anashkaluan e vijuan udhën më tej pa u ndaluar për ta ndihmuar, ndoshta duke menduar se në kontakt me gjakun, në bazë të një urdhri e rregullore të asaj kohe, do të ishin infektuar. Kështu, shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë duhet të na nxisë ta shndërrojmë e ta përmirësojmë mentalitetin tonë”.
Vërtet, “ky tregim ungjillor u ofron të krishterëve ‘kriterin e masës’, do të thotë universalitetit e dashurisë që shikon e përkujdeset për nevojtarin që e takojmë rastësisht kushdo qoftë ai”. “Pranë kësaj rregullore universale, tha Papa, ekziston edhe kërkesa e veçantë kishtare: që pikërisht në Kishën vet, si familje, asnjë anëtarë të mos vuaj për arsye se gjendet në nevojë”.
“T’ia besojmë Virgjërës Mari - përfundoi Papa meditimin e tij gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastelgandolfo -udhëtimin tonë të fesë e, në mënyrë të posaçme, këtë kohë pushimesh, në mënyrë që zemrat tona t’i kenë gjithmonë parasysh Fjalën e Zotit dhe vëllezërit në vështirësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.