2010-07-11 10:15:43

Papa do të shtegtojë, në nëntor, në Spanjë


(11.07.2010 RV)Në Spanjë u paraqit programi i shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Santiago të Kompostelës, më 6 nëntorin e ardhshëm. Më pas Ati i Shenjtë do të vizitojë Barcelonën.
Programin e shtegtimit në qytetin e Shën Jakut të Madh e paraqiti kryeipeshkvi i Santiagos, imzot Julián Barrio, në mikrofonin tonë, për hollësirat e shtegtimit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa do të arrijë në Santiago në mëngjes e, para së gjithash, do të vizitojë katedralen. Më pas do të përshëndesë shtegtarët në Sheshin Obradoiro, do të vizitojë Varrin e Shën Jakut Apostull, do të ndalohet para Portës së Shenjtë e, së fundi do të shkojë në elterin e madh, ku do të shikojë edhe si funksionon botafumeiro. Quhet kështu temjanica e lashtë, një nga më të mëdhatë në botë. Pas drekës, do të kryesojë Eukaristinë në Sheshin e Obradoiros. Në përfundim të Meshës, do të rikthehet në aeroport, për t’u nisur drejt Barcelonës.

Pyetje: - Ç’rëndësi ka për Evropën ky shtegtim?

Përgjigje: - Ka shumë rëndësi. Është hera e parë që një Papë shkon në Santiago si shtegtar. Papa Gjon Pali II ishte në vitin 1982, por në këtë rast Benedikti XVI nuk bën një shtegtim të zakonshëm: shtegton me rastin e Vitit Shenjt Kompostelian. Prandaj shtegtimi është i jashtëzakonshëm, e jo më pak i jashtëzakonshëm, edhe shtegtari. Një shtegtar kaq i rëndësishëm, kaq i posaçëm, siç është Ati i Shenjtë, vihet për udhë të gjatë, në gjurmët e qindra mijëra shtegtarëve që shkelën e shkelin, që prej mesjetës së hershme, udhët e gjata të Evropës, për t’u bashkuar këtu, te varri i Apostullit.

Kujtojmë se Shën Jaku u quajt "i madh" për ta dalluar nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me të njëjtin emër. Ishte i biri i Xebedeut dhe vëllau i madh i Gjonit. I thirrur nga Jezusi, peshkatari la varkën e babain me shegertët e ndoqi gjurmët e Krishtit, duke braktisur skemat që të krijojnë siguri. Gjithë jeta e tij na mëson se të ndjekësh Jezusin, do të thotë të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja e Re për Jakun e Madh.
Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij pushon në paqe në Santiago të Kompostelës.

Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë e vetme…”. me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, shpallur nga UNESCO pasuri e njerëzimit, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh, Pajtorit të Spanjës.







All the contents on this site are copyrighted ©.