2010-07-11 10:16:08

Nga Kisha në botë


(11.07.2010 RV)Dialogu e bashkëpunimi janë temat qëndrore, nënvizuar nga Patriakana e Moskës, në një mesazh drejtuar imzot Kurt Koh, emëruar nga Papa, më 1 korrik, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në vend të kardinalit Kasper, që u largua nga detyra për të dalë në pension “Shpesojmë, shkruhet në mesazh, se perspektivat e reja të bashkëpunimit, që janë hapur, do t’i sjellin dobi të dyja Kishave, në përpjekjen për bashkimin e plotë të të gjithë të krishterëve”.
Ipeshkvijtë e Spanjës i kundërvihen ligjit të ri mbi abortin, që hyri në fuqi të hënën e kaluar. Në një notë kushtuar kësaj situate, Konferenca ipeshkvnore kujton se ligji i ri, që nuk përkon fare me moralin njerëzor, aq më pak me atë katolik, e keqëson ligjin e mëparshëm në tri pika: mbyt njeriun, që nuk ka lindur ende e që nuk mund të mbrohet: përligj vrasjen e fëmijës në bark të nënës, me arsye shoqërore dhe eugjenetike; imponon, në sistemin edukativ të detyrueshëm, ideologjinë abortiste, në vend që të edukojë fëmijë me bindje të shëndosha morale, të gatshëm për të pranuar dhuratën e jetës së re e për t’u bërë prindër të mirë, gjë që do të ishte në dobi të mbarë shoqërisë.
Në Slloveni katolikët e myslimanët janë njëlloj kundër bashkimeve homoseksuale, ashtu si edhe kundër mundësisë për bijësimin e fëmijëve nga ana e çifteve të tilla. Në një deklaratë të përbashkët, pohojnë se të dyja bashkësitë do të mbrojnë martesën e një burri me një grua, duke iu kundërvënë me forcë familjeve homoseksuale, sepse nuk janë në gjendje të zëvendësojnë prindërit e familjes së zakonshme, në të cilën fëmija ka pranë nënën e babain, jo dy nëna ose dy baballarë, që në fund të fundit, nuk janë as nëna e as baballarë të vërtetë.
Fondacioni Konrad Adenauer organizoi këto ditë në Romë, një takim me temë: “Krishterimi, si motor i modernes”. U theksua se krishterimi përbën forcën kryesore të progresit, të qytetërimit e të modernizimit të Evropës. Pa krishterimin, nuk mund të konceptohen të drejtat e dinjiteti i njeriut, kufijtë e pushtetit shtetëror e politik, e drejta e secilit për t’u shkolluar, për t’u emancipuar, për t’u realizuar plotësisht si njeri, në gjirin e një shoqërie, që e ka në qendër të vëmendjes e që di të ruajë drejtpeshimin e duhur ndërmjet demokracisë e fesë.
Në Veri të Koresë, një i krishterë u torturua për vdekje, thjeshtë sepse iu gjet në shtëpi një Bibël. Piongjangu, ashtu si pati bërë Tirana diktatoriale, deklaron se i garanton liri të plotë fetare popullsisë, por në të vërtetë i persekuton egërsisht të gjithë ata, që besojnë në Zotin. E kjo, sepse në diktaturë duhet adhuruar vetëm diktatori! E se martirizimi i të krishterëve nuk ka marrë ende fund. Përkundrazi. Në një anë të botës persekutohen me tortura, në tjetrën, me përpjekjen për ta mbyllur fenë në mjedise sa më të ngushta private, duke e privuar deri nga simbolet e veta më të shenjta, si Kryqi e ikonat.
Në Peru bëhet gjithnjë më e vështirë jeta e misionarëve të huaj, që jetojnë pranë indianëve, duke luftuar për mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore dhe për shpëtimin e pyjeve të Amazonës. Akuzohen si agjitatorë politikë, të veshur me petkun e barinjve. Kohët e fundit misionari italian, Mario Bartolini, pas një procesi të gjatë e të vështirë gjyqësor, u kërcënua se do të dëbohej nga vendi, për shkak se i kishte shtyrë indianët të rebeloheshin kundra padrejtësive të njerëzve të pushtetshëm.
Ipeshkvi katolik i Hajdarabadit, në Pakistan, u shprehu afërsinë e solidaritetin myslimanëve sufì, të tronditur thellë pas atentatit nga ana e një kamikazeje, që shpërtheu brenda shenjtërores së tyre në Lahore, duke shkaktuar vdekjen e 42 besimtarëve në lutje.Myslimanët sufi janë paqësorë, të gatshëm për dialog, prandaj u japin shumë bezdi fanatikëve, që i konsiderojnë si heretikë – i shpjegoi ipeshkvi katolik Agjensisë Fides.
Atë Antuan Ilgit, i shuguruar meshtar më 26 qershorin e kaluar në Romë, është i pari jezuit turk në histori. Në homelinë e meshës së shugurimit, foli për imzot Padovezen, vrarë një muaj më parë, që e pati ndihmuar shumë për të ndjekur rrugën e meshtarisë, si edhe për don Andre Santoron, martirin tjetër, mbytur më 2006, gjithnjë në Turqi. Fjalët e tij të kujtojnë thënien e famshme të Tertulianit, në këtë rast, me pak ndryshime: “Gjaku i meshtarëve martirë, është fara e meshtarëve të rinj”.
Titullohet “Histori e shkurtër e Kishave katolike lindore” libri i Albert Elli, me të cilin hapet kolana “Ekklesia” e botimeve Toka e Shenjtë. Vepra i shërben njohjes së këtij realiteti kaq të rëndësishëm kishtar, në prag të Sinodit të posaçëm të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që do të mbahet në Vatikan nga 10 deri më 24 tetor 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.