2010-07-11 14:11:59

Benedikti XVI, me pushime, kremton lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot nga Kastel Gandolfo


(11. 07. 2010 RV)Sot, duke kremtuar lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot të pushimeve verore në Kastel Gandolfo, ku ndodhet që të mërkurën e kaluar, Papa i ftoi besimtarët t’u shërbejnë me dashuri të sinqertë e bujare vëllezërve, posaçërisht më nevojtarëve.
Benedikti XVI do t’i kalojë javët e ardhshme të korrikut në selinë verore të papëve, larg impenjimeve zyrtare, duke u çlodhur, pas një viti të gjatë pune, ngarkuar me probleme nga më të ndryshmet, sivjet tejet të ndërlikuara. Nuk duhet harruar se mbi shpatullat e Papës rëndon barra e drejtimit të mbarë Kishës universale. Por Papa nuk i koncepton pushimet verore si një hapësirë të zbrazët kohore, si kohë kur lihen pas të gjitha andrrallat e rendet pas kënaqësive, që nuk mund të realizohen gjatë punës, për njëmijë arsye. Vetë Ati i Shenjtë Racinger na kujton se i krishteri duhet ta mbushë këtë hapësirë jo vetëm me pushimin e trupit, por edhe e sidomos, me prehjen e shpirtit, me lutje, meditim, me përpjekjen për ta thelluar miqësinë me Krishtin.
Kur ke më shumë kohë të lirë, mund të bisedosh më gjatë me Zotin, mund të meditosh më shumë mbi Shkrimin Shenjt, mund të lexosh më shumë libra. E edhe mund të shkruash më shumë. Pushim nuk do të thotë të rrish duarlidhur e symbyllur mbi rërën e bregdetit a mbi lendinat e ndonjë pylli të gjelbër, duke dëgjuar këngën e valëve a koret e zogjve. Të shëtisësh në pyll është bukur; është kënaqësi të pish ujë në burimet e akullta mes blerimit, të soditësh shkëmbijtë a të ngjitesh në maje të maleve. Është kënaqësi, por pa harruar se njeriu në gjirin e natyrës gjen përmasën e tij të vërtetë, duke u bërë i aftë për të kuptuar Zotin, sepse mëson t’i hapë zemrën së pafundmes, percepton botën që e rrethon, duke parë në të vulën e Provanisë hyjnore, pasqyrimin e bukurisë e të mirësisë së Krijuesit. E kështu lind lutja, lind kënga e lavdërimit që lartohet, si fjollë kemi, drejt qiellit.
Pushimet nuk janë thjeshtë aventurë, nuk janë arratisje nga e përditshmja, nuk janë përpjekje për t’u shkëputur nga lidhjet e zakonshme, në kërkim të lidhjeve të reja, interesante, që nganjëherë mund të quhen më tepër zgjidhje.
I krishteri, pohon Benedikti XVI, i shikon pushimet verore si kohë e çmuar për të qëndruar sa më gjatë me të dashurit e familjes, për t’u takuar me miq e shokë, për të shijuar biseda, që nuk mund t’i realizosh, sepse të pengojnë shqetësimet e përditshme.
Por, të mos harrojmë, ka edhe nga ata, që sivjet nuk mund t’i gëzojnë pushimet verore. Madje edhe nga ata, që nuk kanë provuar kurrë ç’do të thotë pushim veror. Atyre, na porosit Papa, nuk duhet t’u mungojë solidariteti e afërsia e njerëzve të dashur. E për ata që nuk kanë askënd, duhet të gjindet dikush, që i do, në emër të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.