2010-07-10 11:59:25

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na ofron eksperiencën e bujarisë e të dashurisë ndaj të afërmit, përmes së cilës fitohet Mbretërie e Qiellit, Jeta e pasosur. Pra, argumenti kryesor që përshkon të leximet biblike të kësaj së diele është Urdhri i dashurisë, që është edhe thelbi i predikimi të krishterë. Fjala e Zotit e në mënyrë të posaçme Ungjilli i kësaj së diele, na ftojnë t’i përngjajmë Krishtit, “bamirësit të mbarë botës”, “samaritanit të mirë”, sikur përshkruhet figura e Jezusit nga ungjilli.
Shtegtimi ynë tokësor është përgatitje e takimit përfundimtar me Hyjin. Në leximet biblike të liturgjisë së kësaj së diele, Zoti na tregon udhën që duhet ta përshkojmë më dashuri bujare e falas, e kjo udhë qëndron në një urdhër të vetëm: “Duaje Hyjin me gjithë zemër e të afërmin tënd porsi vetveten”. Ky është i tërë ligji. Thjeshtë e qartë. Nuk ka hapësirë paqartësie. “Ky urdhër nuk është i lartë për ty, as tepër larg teje…madje Fjala është krejtësisht afër teje…është në zemrën tënde”. Nëse për të krishterin ka ndonjë urdhër, sot, është ta bëjë të besueshëm fenë e tij, në fjalët që janë në gojën tonë shihet e kuptohet nëse kemi një Hyji që nuk do e nuk kërkon asgjë përveç lumturisë e dashurisë. Për këtë na jep vetëm një urdhër të vetëm. Por është urdhër që mbushë çdo skaj të jetës:
-ndihmon ta jetosh festën: një festë që nuk fyen, që nuk bënë dëm, që ndihmon të rritesh, që zemrën e mbushë më paqe:
-ngushëllon e ndihmon në dhimbje: sepse bëhet bashkëndarje, ngushëllim, inkurajim, afërsi…;
-ta largon vetminë: sepse ushqen miqësinë, ka gjeste e fjalë mirësie;
-eliminon distancat: di të bëjë i pari hapin drejt faljes e pranimit; nuk e shtyp tjetrin që ndryshon prej nesh, që ka kulturë apo fe apo racë tjetër;
- të transmeton paqen: nuk ushqen urrejtje…e di se nuk shërben asgjë logjika e dhunës, e atëherë nuk ndjehet e dështuar nëse nuk e ka fjalën e mbrame, nëse nuk fiton me çdo kusht…
Do të ishte shumë interesant të verifikonim çdo ditë aftësinë tonë të “ndërtimit të dashurisë, sadopak, çdo ditë”. Një rregullore e vjetër e skautëve ishte ajo për ta lënë botën pak më të mirë se sa e kemi gjetur….e po të mundeshim të themi çdo ditë se… jemi pak më të mirë se kur e kemi filluar ditën, a nuk do të ishim më afër lumturisë?
Udhën për të arritur tek lumturia e përjetshme na e tregon Jezu Krishti në Ungjillin e kësaj së diele me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë. Ta lexojmë, ta dëgjojmë e të mësojmë nga ky shembull...dhe do të zbulojmë sa e mrekullueshme është jeta e përditshme në të cilën ka vend për Hyjin e të afërmin tonë.
Shën Françesku i Asisit, mëse 800 vjet më parë, është konvertuar, është kthyer ndaj Dashurisë. Ishte një djalë që pati provuar të gjitha: gratë, luftërat, aventurat, paratë….E takoi Jezusin dhe e bëri të veten e për veten çështjen e dashurisë. E bëri të veten një rregullore të përmbledhur në lutje:
“O Zot, bëj të jem një vegël e paqes tënde. Aty ku ka urrejtje, bëj të sjell dashuri; aty ku ka fyerje, që unë të sjell falje: aty ku është dëshpërimi që unë të sjell shpresë; aty ku ka errësirë që unë të sjell dritë; ku ka trishtim që unë të sjell gëzim. Oh Mësues, bëj që unë të orvatem të ngushëlloj, se sa të jam i ngushëlluar; bëj që t’i mirëkuptojë të tjetër, në vend që të jam i mirëkuptuar; të dua në vend që të jam i dashur prej tjerëve; sepse vetëm duke dhuruar, fitohet, vetëm duke falur, jemi të falur, vetëm duke vdekur ringjallemi në jetën e amshuar”.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Lp 30, 10-14
Moisiu i mëson popullit të zgjedhur që vullnetin e Hyjit mund ta njohë dhe mund ta realizojë, nga momenti që Hyji i ka folur duke i zbuluar vullnetin e tij. Hyji i flet gjithmonë njeriut me qëllim që të depërtojë në zemrën e tij. Dhe Fjala e Hyjit realizohet vetëm kur pranohet me bindje.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli popullit dhe i tha: “Zoti do të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’ Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 19

Ligji i Zotit është i përsosur

I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

Leximi i dytë Kol 1, 15-20

Pali pohon se Jezu Krishti nuk mund të hyjë në një koncept njerëzor të ndërtuar nga njerëzit. Ai nuk mund të përdoret për të justifikuar zgjedhjet tona njerëzore. Ai gjendet në një nivel tjetër: është i parëlinduri i njerëzimit dhe ndriçon të ardhmen e njeriut, sepse është i vetmi që ka fituar mbi vdekjen. Me Të lind një njerëzim i ri, një ecje e pakthyeshme në historinë njerëzore.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, Aleluja.
Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.
Aleluja

Ungjilli Lk 10, 25-37

Kush është i afërmi? Në një farë kuptimi jemi ne vetë. I afërmi është ai që u afrohet më të largëtëve, atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Njerëzimi është në anët e rrugës, i shtypur dhe i përbuzur me gjithë shoqatat e bamirësisë dhe nismat për ndihmë. Por Krishti kalon akoma sot, dhe për të qëndruar afër njerëzve sillet si samaritani, i cili ishte i përbuzur nga shoqëria dhe nga feja zyrtare. Dashuria fiton mbi të gjitha vështirësitë dhe nuk ka ndarje mes miqve dhe armiqve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbje për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pas larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të
thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!”
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Programi kushtuar leximet biblike të kësaj së diele e komenti apo homelia nga dom Damjan Kurti, nga Durrësi, mund të dëgjohen këtu…h







All the contents on this site are copyrighted ©.