2010-07-10 18:16:16

Lajme të mira nga Kuba: editorial i atë Lombardit


(10.07.2010 RV)Në Kubë, dialogu i qeverisë me bashkësisë ndërkombëtare e, posaçërisht, i autoriteteve kubane e Kishës katolike, solli zhvillime të reja, tejet të rëndësishme. Ndërmjet tyre, njoftimi nga ana klasës drejtuese kubane, për lirimin e shpejtë të dhjetra disidentëve politikë si dhe ndërprerjen e grevës së urisë nga ana e gazetarit Guilermo Fariñas, i cili që më 23 shkurtin e kaluar nisi këtë tip proteste, për të kërkuar lirimin e të burgosuve politikë, që të gjithë në gjendje të keqe shëndetësore. Është lajm që gëzon mbarë Kishën. Na kujton kohët kur në Shkodër kremtohej Mesha e parë e pas diktaturës, në kapelën e djegur të një varreze të shkatërruar, nga meshtarë, edhe më të shkatërruar në burgje. Një Kishë motër nis të marrë frymë lirisht e të ecë në një rrugë të re. Urojmë të jetë e gjatë e të mos i zhgënjejë ata, që u flijuan në pranga për lirinë, në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale. Prandaj drejtori i Qendrës Televizive të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, e zgjodhi pikërisht këtë, ndërmjet lajmeve të shumta të javës, për editorialin e ‘Octava dies’e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:RealAudioMP3
“Komunikata zyrtare e Kryeipeshkvnisë së Havanës për lirimin e më se pesëdhjetë të burgosurve, të mbyllur në burgjet e Kubës, botuar edhe në të përditshmen e partisë komuniste kubane, si dhe ndërprerja e grevës së urisë nga ana e gazetarit Guliermo Fariñas, janë lajmet e mira, që i prisnim prej disa javësh nga ishulli karaibik. Sinjale domethënëse, të cilat shpresojmë se shënojnë një ecje të vazhdueshme përpara, duke krijuar klimën e bashkëjetesës së re shoqërore e politike, të cilën të gjithë e urojnë për kombin kuban.
Besoj se na lejohet një reflektim. Kardinali Ortega Alaminìo dhe imzot Dionisio Garcia, kryetar i episkopatit, munden të luajnë një rol vendimtar në procesin e dialogut kuban, sepse Kisha katolike i ka rrënjët thellë në popull, sepse populli i beson, nga që ia njeh mirë njerëzve shpirtin, ëndrat e shpresat. Nuk është realitet i huaj. Nuk ikën, në kohë të vështira. Mbart vuajtje e shpresa, me dinjitet e durim, pa servilizëm, por edhe pa ndikuar mbi rritjen e tensioneve e pa ngacmuar shpirtrat, përkundrazi, me impenjimin e vazhdueshëm për të hapur rrugët e mirëkuptimit e të dialogut. Selia e Shenjtë, nga ana e saj, e shoqëron dhe e mbështet Kishën vendase me solidaritetin e saj shpirtëror e me autoritetin e saj ndërkombëtar. Nga shtegtimi i Gjon Palit II dhe vizitat e sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone me imzot Dominik Mambertí kohëve të fundit, tek kontaktet diplomatike në Vatikan për situatën në Kubë, Selia e Shenjtë ka qenë gjithnjë kundër embargos e, prej këndej, shumë pranë vuajtjeve të popullit, e gatshme për të mbështetur çdo perspektivë dialogu.
“Urojmë nga zemra, që Kuba t’ia hapë portat botës, e bota Kubës”- pati brohoritur Gjon Pali II gjatë shtegtimit të tij të paharrueshëm të 1998-tës. Me durim, u bënë përparime të rëndësishme në këtë drejtim. Të gjithë urojmë të vijojë ecja përpara”.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.