2010-07-09 17:01:32

Benedikti XVI emëron imzot De Paolis delegat papnor për legjionarët e Krishtit.


(09.07.2010 RV)Benedikti XVI emëroi sot delegatin papnor për Kongregatën e Legjionarëve të Krishtit. Është kryeipeshkvi Velasio De Paolis, rregulltar skalabrinian, kryetar i Prefekturës për çështjet ekonomike pranë Selisë së Shenjtë. Për emërimin e delegatit u fol që më 1 majin e kaluar, në komunikatën mbi takimin, mbajtur në Vatikan, me pesë ipeshkvijtë e ngarkuar për vizitën apostolike në Kongregatën e Legjionarëve të Krishtit. Takimin e pati kryesuar Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Një nga seancat u zhvillua në praninë e Papës.
Në komunikatë nënvizohej se “ipeshkvijtë, gjatë vizitës apostolike, takuan një numër të madh rregulltarësh shembullorë, të ndershëm, të talentuar, shumë prej të cilëve, të rinj, që kërkojnë plot zell Krishtin e që e dhurojnë me gëzim gjithë vetveten për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me themeluesin e Legjionarëve, atë Marcial Maciel Degollado, sjellja e të cilit u dënua, ndërsa u kërkua rishikimi i thellë i gjithë rrugës së përshkuar. Pas vizitës apostolike, u pa e nevojshme të ripërcaktohet karizma e Kongregatës së Legjionarëve të Krishtit, duke ruajtur bërthamën e vërtetë, atë të ‘Militia Christi”, që e dallon veprimtarinë apostolike e misionare të Kishës e nuk kërkon rezultate me çdo kusht.
Benedikti XVI, duke i falënderuar vizitatorët për punën e tyre delikate, të kryer me kompetencë, bujari e ndjeshmëri të thellë baritore, u mjaftua të kujtojë se në të ardhmen do të tregonte mënyrat e këtij shoqërimi, duke filluar nga emërimi i një delegati të tij e të një Komisioni studimi mbi Kushtetutën. Delegati u caktua sot e është imzot De Paolis.
Përmes një komunikate, Salla vatikanase e Shtypit sqaron se delegati do të takohet personalisht e sa më shpejt të jetë e mundur me eprorët aktualë të Kongregatës së Legjionarëve të Krishtit. Do të jetë ai që, në funksionin e tij të ri, do të vendosë mënyrat e kohët e komunikimit për aspektet kryesore, për mandatin, që ka marrë nga Ati i Shenjtë si dhe për themelimin e Komisionit, që do të studiojë Kushtetutën e vetë Kongregatës. Përmes këtyre parashikimeve, vijon të sqarojë Komunikata e sotme e Sallës vatikanase të Shtypit, Papa i siguron të gjithë legjionarët dhe anëtarët e Lëvizjes “Regnum Christi”, se nuk do të lihen vetëm e se Kisha është e vendosur t’i shoqërojë e t’i ndihmojë në rrugën e pastrimit, që i pret.







All the contents on this site are copyrighted ©.