2010-07-08 14:15:55

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Dekalogu”


Të dashur dëgjues, sjellja e të krishterëve është përcaktuar që në fillimin e epopesë njerëzore, me anë të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, të cilat shpesh quhen edhe “Dekalogu”. Pikërisht kuptimin e kësaj fjale të fundit do të shpjegojmë sot.


“Dekalog” është termi grek, që përdoret për të përcaktuar “dhjetë fjalë” e urdhra themelor, mbi të cilët ndërtohet e bazohet morali biblik, por edhe vlerat etike natyrore të përgjithshme. Natyrisht, fakti që këto “fjalë” janë të Zotit dhe u janë komunikuar njerëzve nga maja e malit Sinai, si besëlidhje e Hyjit me Izraelin, i jep “dekalogut” cilësi thellësisht fetare, që dëshmohen sidomos nga Urdhri i parë, me tre formulime (Dal 20,2-5): teologjik (“Mos ki tjetër Zot, përveç meje…”), baritor (“Mos bëj kurrfarë idhulli, as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell…”) dhe liturgjik (“Mos i adhuro ato, as mos u jep farë nderimi…”).
Urdhërimet jepen me një listë, ku fjala kryesore është “mos bëj…”. Në të vërtetë, kjo është një mënyrë për të vënë në pah edhe përmbajtjen pozitive të urdhërimeve, në mënyrë që etika e biblës të mos përmbajë vetëm ndalimet apo moslejime. Mund të komentojmë Urdhrin e parë, kyç për të gjithë të tjerët, me fjalët e “Shemŕ” (Dëgjo!), besojma e dashur për çdo hebre: “Dëgjo Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!” (Lp 6,4-5)
Urdhri i dytë – “Mos e merr emrin e Tënzot nëpër gojë kot” – më tepër se blasfeminë, gati e pakonceptueshmë në lashtësi në formën vulgare të sotme, dënon idhujtarinë.
Urdhri i tretë ka të bëjë me shenjtërimin e festave: të shtunat për hebrenjtë. Kjo ditë është oazi shpirtëror i kultit, përmes të cilit hyjmë në “pushimin” hyjnor, amshimin, zbulojmë harmoninë me botën e krijuar nga Hyji dhe ekzaltojmë lirinë, që Ai na ka dhuruar.
Urdhri i katërt është i rëndësishëm për jetën shoqërore, kaq është e vërtetë, saqë ai ndiqet nga një bekim: “Ndero prindin tënd, nëse dëshiron të jetosh shumë mbi dhe!” Nëna dhe babai janë boshti i familjes e në ta përmblidhen të gjitha marrëdhëniet shoqërore.
“Mos vra” në urdhrin e pestë kremton pozitivisht të drejtën për jetën. Në Besëlidhjen e Vjetër kishte përjashtime nga ky ligj, të sanksionuara me norma të përcaktuara mirë. Është rasti i anatemës, flijimit të shenjtë, dënimit me vdekje etj.. Është Krishti ai, që e vendos urdhërimin në kontekstin që i takon, duke e bërë krejtësisht radikal (shih Mt 5,21-22).
Urdhri i gjashtë “Mos kurvno!” ngre në qiell të drejtën për martesë e propozon një përdorim njerëzor e korrekt të seksualitetit.
Urdhri i shtatë “Mos vidh”, para se të kujdeset për ruajtjen e pronës, ka si qëllim lirinë individuale. Vërtet, synimi ishte të ndaleshin plaçkitjet dhe marrja e personave peng.
E vërteta, sidomos ajo në një proces gjyqësor, vendimtare për një qytetërim të tipit oral, është objekt i urdhri i tetë, i cili mbron nderin e personave kundër çdo “dëshmie të rreme”.
Urdhri i nëntë dhe i ai i dhjetë synojnë të drejtën e pronësisë familjare: ndër pronat vetjake (shtëpia, skllevërit, lopa e gomari) hyn edhe gruaja, e cila, në një shoqëri patriarkale e maskiliste, konsiderohej thesar, pasi bënte fëmijë, por jo “thesar” në kuptimin e ndjenjave.
Kjo është shenjë e mishërimit të Fjalës së Zotit, që nuk duhet të na bëjë të harrojmë vlerat pas formulimeve, shpesh bija të epokës së tyre. Gjithsesi, Dekalogu mbetet, ashtu siç thoshte Luteri, “pasqyra më e mirë ku mund të shohësh ç’të mungon e ç’duhet kërkuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.