2010-07-08 13:59:02

Kryqi: ikonë e simbol i paqes e i tolerancës.


Do të ishte me vend që Evropa të mos shkaktonte përçarje të reja në gjirin e popullsive të saj. Në një kohë të ngarkuar me tensione, kur kundërshtarët e simbolit të krishterimit, duke shfrytëzuar frymën e sëmurë të laicitetit, e shikojnë vendimin e Gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut për ta zhdukur, si hap të ri që e bashkon Kontinetin. E përsa i përket rrënjëve të tij të krishtera, mendojnë se nuk ia vlen të flitet, sepse këto rrënjë u prenë një herë e mirë nga Revolucioni francez.
E habitshme! Sot, çdo simbol identitar shkakton frikë. Njerëzit e popujt nuk janë më në gjendje të njohin vetveten, as traditën e tyre. Simbolet vlerësohen, vetëm atëherë, kur bëhen burim grindjesh e përçarjesh. Atëherë dalin në skenën e botës përkrahësit e sherreve, që janë gati të nisin sulmet, të përdorin dhunën, të gjakosen, për të mbrojtur simbolet e tyre. E duan ta ngatërrojnë edhe kryqin në këtë betejë absurde. Mjerisht jetojmë në një kohë, kur njerëzit duartrokasin atë, që kremton rite etniko-fetare, të cilat i përçajnë popujt, në vend që t’i bashkonin në gjirin e nënës së madhe evropiane.
Duke harruar se Kryqi është element i bashkimit, ikonë e revolucionit të krishterë, simbol universal i dashurisë e i dhimbjes njerëzore. Nuk ka në botë simbol, që ta shprehë më mirë fatin e madh të njeriut. Fatmadh ai që rrok Kryqin, sepse e mëson ta dojë të afërmin si vetveten; pa dallim, edhe atëherë kur prijësit e popujve bëjnë të kundërtën. Fatmirë, sepse aktor i një historie të lumnueshme, që shtrihet në hapësirë e në kohë, duke lënë pas gjurmë gjaku e shprese për një jetë më të mirë, mbi këtë tokë e në qiell.Kryqi bën pjesë në historinë e botës. Shenjë dialogu, dashurie e shprese, nuk mund të mos mbrohet me të gjitha forcat nga ata që besojnë në të Kryqëzuarin, të Ringjallurin, të Ngjiturin në qiell, në Atë, që i hapi njeriut rrugën drejt amshimit. Prandaj të krishterët kanë të drejtë të plotë të ngrenë zërin e ta mbrojnë: “Larg duart nga kryqi! Edhe në shtetet laike, duhet njohur vlera publike e shoqërore e fesë, të cilën nuk mund ta shlyej vendimi i asnjë gjykate!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.