2010-07-08 17:56:57

Dita e parë e pushimeve të Benediktit XVI në Kastel Gandolfo – pushime të trupit e të shpirtit.


(08.07.2010 RV)Benedikti XVI kaloi ditën e parë të pushimeve verore në Kastel Gandolfo, ku arriti dje pasdite pas audiencës së përgjithshme. Javët e ardhshme Papa do t’i kalojë duke iu përkushtuar pushimeve, larg ceremonive dhe pritjeve zyrtare, duke përjashtuar kremtimin e Lutjeve të Engjëllit të Tenzot të dielave. Pushimet verore si kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për meditime janë përmendur disa herë nga Benedikti XVI gjatë këtyre viteve papni.

Hiqe spinën, hidhe tutje orën, harroji kolegët e ndoshta edhe familjarët. Dhe mbi të gjitha zbavitu sepse e nesërmja është e sigurtë, me fjalë të tjera, se pa kaluar mirë dy javë, ritmi i zakonshëm i punës dhe i familjes do të rifillojë, padyshim. Kur për një person arrin çasti i shumëpritur dhe mund të ndërpresë ritmin e zakonshëm të jetës dhe të përgjegjësive të përditëshme, atëherë shfaqet edhe prirja për të hequr nga shpatullat atë që e mban të lidhur pikërisht me këto përgjegjësi. Në kosh, vendi i punës, njerëzit për të krijuar një hapësirë që duhet mbushur pastaj me kënaqësi, me pushim, me çlodhje. Te kjo dëshirë e kuptueshme dhe e drejtë njerëzore, - kujton Papa Racinger, - një i krishterë duhet të gjejë jo vetëm dëfrimet por edhe
pushimin e shpirtit. Mbi të gjitha pushimin e shpirtit. Këto pushime, na ka kujtuar disa herë Benedikti XVI, duhet të na shërbejnë për të krijuar hapësirë brenda nesh, që pastaj këtë hapësirë ta mbushim me Zotin:

“Çdo i krishterë i mirë e di se pushimet janë një kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin dhe për të ushqyer shpirtin nëpërmjet lutjeve të zgjeruara dhe të meditimit, që pastaj të rritet në një lidhje personale me Krishtin dhe të bëhet një gjithmonë e më shumë me mësimet e Tij. (15 korrik 2007)

“Të mos ta harrojmë Hyjin gjatë pushimeve”, përsëriste Papa Racinger në Lutjen e fundit të Engjëllit të Tenzot të korrikut 2009. Ja vlen të krijosh një hapësirë për reflektim që të futemi më thellë në vetvete, ndryshe nga ajo që bën pushuesi i zakonshëm, sepse në këtë mënyrë të pushon shpirti:

“Duke pasur më shumë kohë të lirë në dispozicion atëherë mund t’i përkushtohesh më me qetësi dialogut me Zotin, meditimit të Shkrimit Shenjt dhe leximit të ndonjë libri të dobishëm edukues. Kush e provon këtë pushim të shpirtit e di se sa e dobishme është që pushimet të mos kthehen vetëm në kohë zbavitjeje dhe dëfrimi.” (13 gusht 2006)

Që mali me atë qetësinë, pyjet e shkëmbinjt e tij të ndihmon më shumë se sa pejzazhe të tjera në këtë proces të pushimit të shpirtit, Papa e ka përsëritur shumë herë duke e dëshmuar këtë duke shkuar në alpe për disa ditë pushime. Në 2005 gjatë qëndrimit të tij të parë në Lë Kombë, pati thënë se si “në kontakt me natyrën e tij, njeriu gjen vetveten,” duke u bërë:

“...i aftë për Zotin sepse në brendësi të zemrës i hapet Amëshimit. I shtyrë nga nevoja për t’i dhënë kuptim jetës, njeriu dallon në botën përreth gjurmët e mirësisë dhe të Provanisë Hyjnore e i hapet në mënyrë të natyrshme uratës dhe lavdeve drejtuar Zotit, duke e shquar me të vërtetë pasqyrimin e bukurisë dhe të mirësisë së Krijuesit.” (17 korrik 2005)

Vijnë pastaj edhe marrëdhëniet njerëzore. Janë të shumtë njerëzit për të cilët fjala “pushime” shkon bashkë me fjalën “aventura”, si ikje nga realiteti, nganjëherë e vetmuar dhe “e shkëputur” nga lidhjet e zakonshme, për t’u ngazëllyer sadopak përpara se të bëhesh hi e pluhur përgjithmonë. Por për një të krishterë nuk është aspak kështu, pohon Benedikti XVI:

“Pushimet janë një (...) mundësi e çmuar për të ndenjur më shumë me familjarët, për t’u takuar më shumë me miq e të afërm, me një fjalë për t’i dhënë më shumë peshë kontakteve njerëzore të cilat, ritmi i punës së përditshme nuk na lejon t’i mbajmë si do të dëshironim.” (13 gusht 2006)

Dhe ndonëse jemi të rrethuar me miq e të njohur me të cilët mund të kalojmë pushimet, le ta çojmë mendjen edhe tek ata që janë të shtrënguar të kalojnë në vetmi jo vetëm pushimet por edhe jetën, për shkak të sëmundjes apo thjesht pse janë të moshuar dhe kërkojnë qoftë edhe për një çast të vetëm një fytyrë a një buzëqeshje, pse këto janë pushimet e tyre. Në fund pastaj janë edhe ata që nuk kanë mundësi të shkojnë kund me pushime:

“Por ka edhe shumë që, për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime. Të dashur vëllezër e motra, përshëndetja ime është për ju me urimin që të mos ju mungojë kurrë solidariteti e as afërsia e të dashurve të tuaj.” (1 korrik 2009)







All the contents on this site are copyrighted ©.