Më 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit e Martir.
Për shën Astin, gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar te
arkeologjia apo ndër kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij
bariu martir. Dimë me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit
gjatë sundimit të Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht
në këtë kohë u martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit.
Duhet të ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë
dëshminë më lartë. Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq
duke i lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave
të mëdha e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më
vonë mbi varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall
mbrojtës i qytetit të Durrësit. Emri i Shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin
e martirizimit të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që,
sapo ishin strehuar në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer e gozhduar në
kryq e, të ngushëlluar nga flijimi i tij dhe dëshmia që dha për Krishtin, shpallen
se ishin të krishterë dhe për këtë pësuan edhe ata menjëherë të njëjtin fat. Menologu
i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.
Ndërsa në Sinasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së
bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i
nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve
në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull,
duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve
– siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte
e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si
edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit,
ipeshkvit e martirit të Durrësit.