Papa në audiencë flet për Gjon Duns Skot e thotë: Populli i Zotit është magjistër
që paraprinteologjinë.
(07.07.2010 RV)Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme pohoi: "besnikëria
ndaj Krishtit mund të paguhet me armiqësi e persekutime". Historia e krishterë ka
pasur gjithnjë njerëz besnikë ndaj Kishës e ndaj Papës, pavarësisht nga persekutimet.
Një nga këto dëshmitarë ishte teologu i famshëm mesjetar, Gjon Duns Skoti, të cilit
Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithme të paradites së sotme,
mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Pasdite Papa u nis për në Kastel Gandolfo,
ku gjatë korrikut do të kremtojë vetëm lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke i ndërprerë
të gjitha veprimtaritë e tjera.
Ëndrra e madhe e njerëzimit të të gjitha kohëve,
quhet Liri! Është vlerë, që kërkohet e emfatizohet, posaçërisht në epokën moderne,
u kujtonte një vit më parë Papa seminaristëve të Romës. Po ç’mund të themi për kufijtë
e kësaj ëndrre të bukur, për të cilën luftuan njerëz të panumërt gjatë shekujsh, duke
i kushtuar gjithçka, deri në flijimin e vetvetes? Papa shpjegoi se teologu skocez
i shekullit të 13-të, Gjon Duns Skot, pati sqaruar një pikë, që shqetësonte prej kohe
mendjen e intelektualëve: liria, pohoi, është cilësi themelore e vullnetit njerëzor,
që megjithatë do të mbetej e paplotë, në se do të absolutizohej e nuk do t’ia vinte
veshin zërit të Zotit: “Historia moderne, ashtu si përvoja jonë e përditshme,
na mëson se liria është autentike e ndihmon për ndërtimin e një qytetërimi të mirëfilltë
njerëzor, vetëm kur përkon me të vërtetën. Në se shkëputet nga e vërteta, liria bëhet
tragjikisht parim i shkatërrimit të harmonisë shpirtërore të njeriut, burim i shpërdorimeve
të njerëzve më të fortë e më të dhunshëm e shkak vuajtjesh për të gjithë”. dërsa,
vërejti Benedikti XVI, liria , ashtu si të gjitha vetitë, me të cilat është i pajisur
njeriu…: “Rritet e përsoset, pohon Duns Skoti, kur njeriu e pranon Fjalën
e Zotit, duke e vlerësuar mundësinë për ta dëgjuar zërin e tij: kur ne ia vemë veshin
Zbulesës hyjnore, kur e dëgjojmë Fjalën e Zotit, për t’ia hapur, pastaj zemrën, atëherë
në shpirtin tonë arrin një mesazh, që e mbush me dritë e me shpresë jetën tonë e na
bën me të vërtetë të lirë”. Duke reflektuar për një episod nga jeta e Duns
Skotit, që pranoi më mirë të merrte udhën e hidhur të mërgimit, sesa të nënshkruante
një dokument armiqësor kundër Papës, siç pretendonte mbreti Filipi i Bukur, Benedikti
XVI arriti në këtë përfundim: “Të dashur vëllezër e motra, ky fakt na fton
të kujtojmë se shpesh herë, në historinë e Kishës, besimtarët u panë me sy të shtrembër
e madje edhe u persekutuan për shkak të besnikërisë e të devocionit të tyre ndaj Krishtit,
ndaj Kishës e ndaj Papës. Ne të gjithë i shikojmë me admirim këta të krishterë, që
na mësojnë ta ruajmë si pasurinë më të çmuar, besimin në Krishtin, bashkimin me pasardhësin
e Pjetrit e me Kishën universale”. Benedikti XVI foli gjatë për cilësitë
intelektuale të Duns Skotit, falë të cilave në kohën e tij meritoi, epitetin “Dijetar
i hollë”, e në kohë më të reja, “Këngëtar i Fjalës së Mishëruar e mbrojtës i Zojës
së Papërlyer”. Kështu e quajti Papa Gjon Pali II, kur e shpalli të Lum, në vitin 1993.
Në rastin e parë, Duns Skoti arriti në një përfundim krejt të padëgjuar: “Krishti,
pati thënë, do të ishte bërë njeri edhe sikur njerëzimi të mos kishte mëkatuar”. Me
fjalë të tjera, vërejti Benedikti XVI: “Duns Skoti, ndonëse i vetëdijshëm
se Krishti na shpërbleu me Mundimet, Vdekjen e Ringjalljen e tij për shkak të mëkatit
të rrjedhshëm, pohon se Mishërimi është vepra më e madhe e më e bukur e gjithë historisë
së shëlbimit e se ajo nuk u kushtëzua nga asnjë fakt i caktuar”. Njëlloj
i thellë, argumenti lidhur me mbrojtjen të Zënies së Papërlyer të Marisë, mbi të
cilin, 500 vjet më pas, do të mbështetej Piu IX për të formuluar dogmën. Mbi Marinë,
shpjegoi Duns Skot, veproi “Shëlbimi mbrojtës”: Nëna ishte kryevepra e Shëlbimit,
të realizuar nga Biri e, prandaj, u mbrojt nga mëkati i rrjedhshëm. Kjo intuitë sublimonte,
tha Papa, atë që njerëzit e besonin vetvetiu për Virgjërën Mari. E ky fakt e nxiti
Benediktin XVI për një refketim të ri, lidhur me punën e teologëve e me respektin
që duhet të kenë për ndjenjat fetare të njerëzve të thjeshtë: “Populli i
Zotit u paraprin teologëve e kjo, falë ndjenave të mbinatyrshme fetare, domethënë
falë ndikimit të Shpirt Shenjt, që e frymëzon të rrokë realitetin e fesë me pëvujtërinë
e zemrës e të mendjes. Në këtë kuptim, Populli i Zotit është ‘magjisteri që paraprin”
e që, më pas, duhet thelluar e duhet pranuar intelektualisht nga teologjia. Uroj,
tha Papa, që teologët t’ia venë mirë veshin këtij burimi të fesë dhe të ruajnë
thjeshtësinë e përvujtërinë e të vegjëlve”. I Lumi Duns Skot, përfundoi
Papa, na mëson se gjëja më themelore në jetën tonë është të besojmë se Zotin e kemi
pranë, se na do në Jezu Krishtin. Duhet kultivuar, prandaj, një dashuri e thellë për
Jezusin e për Kishën e tij: “Ashtu si në Manilë Papa Pali VI, edhe unë sot
dëshiroj të ngre zërin, që të më dëgjojë gjithë bota: Krishti është ai, që na dëfton
Hyjin e padukshëm(..) është themeli i çdo gjëje; ai është Mësuesi i njerëzimit, është
Shëlbuesi (…). Ai është qendra e historisë dhe e botës; është Ai, që na njeh e na
do; Ai është shoku e miku i jetës sonë… Unë s’di të mbaroj, kur nis të flas për Të”. Benedikti
XVI, në përfundim të përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, drejtuar mijëra besimtarëve
në shesh, kujtoi posaçërisht Bijtë e Zojës së Papërlyer dhe Apostullet e Vogla të
Shëlbimit. Së fundi Ati i Shenjtë foli edhe për Shën Maria Goretin, festa liturgjike
e së cilës u kremtua dje. Një vashë, vërejti Papa, që ndonëse tepër e re, pati forcë
e guxim t’i kundërvihej së keqes. E, duke kujtuar, ndërsa përshëndeste shtegtarët
polakë, se pasdite do të nisej për në selinë papnore të Kastel Gandolfos, përfundoi
me fjalët: “Serdecznie was pozdrawiam, błogosławi... Ju
përshëndes nga zemra, ju bekoj e kërkoj lutjet tuaja gjatë ditëve të qëndrimit në
Kastel Gandolfo”.