2010-07-07 15:20:40

Obama e Netanjahu:konsensus për rifillimin e negociatave mes izraelitëve e palestinezëve


Negociatat e paqes indirekte ndërmjet izraelitëve e palestinezëve përfundimisht do të shndërrohen në “negociata direkte”. Ky eshte rezultati i takimit të djeshëm mes presidentit amerikan ekryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë. Nga ana tjetër Autoriteti kombëtar palestinez frenon e më parë kërkon “përgjigjen mbi çështjet e kufirit dhe të sigurimit”.

Me mbështetjen e SHBA-së e gatishmërinë e kryeministrit izraelit Netanjahu për të filluar menjëherë negociatat e drejtpërdrejta me palestinezët dhe për të gjetur një marrëveshje politike me Autoriteti kombëtar palestinez, duket se janë kaluar divergjencat e javëve të fundit ndërmjet Uashingtonit e Tel Avivit e sidomos duket po ndizen shpresat e paqes në Lindje të Mesme.

Pas takimit në Uashington, presidenti Obama e kryeministri Netanjahu u shprehën dakord për zhvillimin sa më shpejt të negociatave direkte mes Izraelit dhe palestinezëve. SHBA bën presion që bisedimet e reja të drejtpërdrejta të ndërmerren para shtatorit. Më pas të marrë fund ndërtimi i ngulimeve izraelite, një nga pikat kryesore të diskutueshme mes Izraelit dhe palestinezëve si edhe një nga pengesat kryesore për t'i hapur rrugën zgjidhjes së konfliktit në Lindjen e Afërt.
Obama vlerësoi Izraelin për vullnetin e negociatave të ndershme dhe lëvdoi para shtypit zbutjen e embargos për Rripin e Gazës. Netanjahu, tërhoqi vëmendjen se rreziku kryesor, me të cilin përballet Izraeli janë programet bërthamore të Iranit.

E sot kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, viziton gjatë ditës selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku do të takohet me kreun e organizatës botërore, Ban Ki Mun.







All the contents on this site are copyrighted ©.